Mesazhi i ‘Shtegtarëve’ të Gjilanit që u Përçua në Bruksel

Katër ‘shtegtarët’ e Gjilanit tash e tutje do ta kenë më të shkurtër dhe më të lehtë rrugën e tyre drejt perëndimit.

Këtë ditë, dy vjet më parë, katër gjilanasit Nazim Ajdini, Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha ishin në ditën e pestë të rrugës së tyre këmbë drejt Brukselit.

Ata ishin nisur më 30 prill me nga një çantë në krah në misionin e tyre për ta sensibilizuar Bashkimin Evropian që t’ua lehtësojë kosovarëve udhëtimin drejt shteteve anëtare- duke ua hequr regjimin e vizave.

Dy vjet më vonë, anëtarët e grupit “Shtegtarët e Lirë” që bënë 2,557 kilometra për 78 ditë, njëri nga shtegtarët, Jahi Mustafa, thotë për KALLXO.com se dita e sotme është e rëndësishme për kosovarët.

“Ne besojmë shumë se mesazhi jonë është përçuar drejt qysh prej para nisjes. Bashkimi Evropian e ka marrë mesazhin tonë se ne do të nisemi atje, dhe e gjithë Evropa ka qenë në dijeni që ne po rrugëtojmë një rrugë me të drejtë dhe që populli i Kosovës e meriton lëvizjen e lirë si gjithë popujt e tjerë që janë të lirë”, u shpreh Mustafa.

Ai thotë se përveç simbolikës së udhëtimit këmbë, edhe kohëzgjatja prej 78 ditësh e rrugës e ka pasur simbolikën e vet në kohëzgjatjen e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 të cilat e çliruan Kosovën.

Tani kur Kosova e ka marrë rekomandimin për liberalizim, Jahi Mustafa shprehet se do t’ia mësyjë sërish Evropës.

Por ai thotë se kosovarët nuk duhet ta keqpërdorin lirinë e udhëtimit pa viza dhe se duhet t’i respektojnë kriteret e vendosura nga shtetet e zonës Shëngen.

“Po patjetër që ne do ta vizitojmë edhe Evropën edhe gjithë ato vende ku ishim. Do t’i përjetojmë edhe një herë ato vende nga kemi udhëtuar” tha Mustafa.

Udhëtimi i “Shtegtarëve të lirë” ishte mbështetur nga Komuna e Gjilanit, Ministria e Diasporës dhe ajo e Kulturës si dhe nga pjesëtarët e diasporës kosovare në vendet perëndimore.