Mbledhja e Komisionit për Media | Foto: KALLXO.com

Merovci: RTK me Vite Nuk e Ka Paguar Tatimin në KPM

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Adnan Merovci sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se ka disa vite që RTK-ja nuk e ka paguar tatimin në KPM.

Këtë deklaratë, Merovci e tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku kishte shkuar për të paraqitur raportin e punës së KPM-së për vitin 2016.

Sipas Merovcit RTK me vite nuk i ka paguar tatimet.

“Ne si rregullator në raport me RTK jemi në pozitë inferiore, sepse RTK është e Parlamentit. RTK me vite nuk paguan tatime. Çështja e taksës mendoj se duhet me u heq, por meqenëse është me ligj, atëherë po i qet të pabarabartë të tjerët, sepse RTK s’paguan e tjerat po”, tha Merovci.

Deputetët i kanë kërkuar kryetarit të këtij Komisioni që të jepen dënime për televizionet të cilat bëjnë shkelje të ligjit dhe të mos mjaftohen vetëm me vërejtje. Sipas Merovcit gabimet apo parregullsitë e rastit kalojnë me vërejte.

“Në rastet kur ne vlerësojmë një gabim apo parregullsi dhe është rast Ad-Hoc, ne ia dërgojmë një vërejtje. Ne e kemi praktikë që nuk shkojmë menjëherë me gjobë, por mund të ketë raste të gabimit të madh që e dënojmë, por fillimisht dërgojmë vërejtje”, tha ndër tjerash kryetari i KPM-së, Adnan Merovci.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Media, Nait Hasani ngriti si çështje faktin që ka qytetarë që paguajnë për RTK-në dhe nuk kanë qasje.

Ndërsa sa i përket raportit të punës së KPM-së për vitin 2016, deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina e cilësoi si jokualitativ.

“Ne kërkojmë që ju në raport të na jepni rekomandime neve deputetëve, në mënyrë që ne të kemi mundësi t’i adresojmë ato probleme dhe ato rekomandime”, u shpreh deputetja Pantina.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku ngriti si çështje pagesën e gazetarëve.

“Unë jam e shqetësuar me pagesën e gazetarëve. Gazetarët merren me krejt problemet, por ata kanë nevojë për një pagë tjetër. Ne takohemi e shihemi me ta, ka gazetarë që e kishin ndërru punën e profesionin për një pagë më të mirë. Ka gazetarë që me 3-4 muaj nuk marrin paga”, tha ajo, duke kërkuar nga KPM që të interesohet të dijë nëpër mediumet kosovare se a i kanë punëtoret e regjistruar, se a i kanë marrë pagat etj.

Ndërsa sa i përket të drejtës së autorit, që u ngrit si çështje, Merovci tha se kjo është punë e Gjykatës e jo e rregullatorit të mediave.

http://kallxo.com/pantina-leshon-mbledhjen-spajtohet-deklaratat-e-mentor-shales/

Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media sot gjatë ditës ka pritur në takim edhe Bordin e RTK-së dhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil.

http://kallxo.com/ankesa-ne-komision-per-buxhetin-e-rtk-se/