Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, Foto: RTV21

Merkel: Shqipëria ka progres, vendosim në ditët e ardhshme për negociatat

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se Shqipëria ka bërë progres në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe se në ditët e ardhshme do të vendoset rreth negociatave.

Ajo këto komente i bëri sot në një konferencë të përbashkët me media në Berlin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit. Shqipëria ka punuar tashmë shumë për disa gjëra. Në ditët në vijim do të krijojmë opinionin tonë përfundimtar, ndërsa do të diskutojmë edhe me kolegët tanë evropianë”, u shpreh Merkel.

Ajo ka vlerësuar se takimi me kryeministrin Rama shërben për të mësuar se si e sheh ai zbatimin e kushteve dhe se si mund të vazhdojë mbështetja për Shqipërinë në reforma.

“Shqipëria ka nisur projekte të rëndësishme reformash dhe se është bërë përparim. Një prej tyre është vlerësimi i disa qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo gjithashtu forcon sistemin ligjor në tërësinë dhe besueshmërinë e tij. Ne e dimë se tani kontrolli duhet të zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm mund ta inkurajoj kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë”, tha Merkel.

Ndërsa, kryeministri Rama tha se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave pas reformave të ndërmarra.

“Ne kemi bërë përparime të pabesueshme. Sot jam krenar të them këtu se Shqipëria ka kryer një reformë të thellë në fushën ligjore dhe gjyqësore, e cila është vlerësuar si e tillë nga Komisioni Evropian dhe si një model për të gjithë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Pas rekomandimit të KE, unë shpresoj të kem mbështetjen e Gjermanisë dhe kancelares në qershor. Është shumë e qartë për ne se ky nuk është fundi. Ky është fundi i një faze dhe hapja e një faze tjetër. Ka shumë reforma, shumë sfida dhe shumë sakrifica që na presin, kështu që ne meritojmë të bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian. Unë kam ardhur këtu për të përcjellë kancelarit besimin tim se Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim për shkak se Shqipëria e meriton atë”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë tha më tej se feja e shqiptarëve është Evropa.

“Shumica për Shqipërinë thotë se jemi myslimanë. Por ne jemi një vend, ku të krishterët dhe myslimanët bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Nga veriu në jug i Shqipërisë, ata kanë të njëjtën fe. Kjo fe është Evropa”, u shpreh Rama./21Media