Kancelarja Angela Merkel - Foto: REL / Reuters

Merkel: E Rëndësishme të Nisim Punën Sa më Shpejt

Angela Merkel ka thënë se është e rëndësishme që Qeveria e re të nis punën sa më shpejt pas periudhës më të gjatë të ndërtimit të koalicionit në Gjermaninë e pasluftës.

Ajo tha se do të punojë në sigurimin e vendeve të punës dhe të prosperitetit, dhe premtoi të jetë një zë i fuqishëm i Gjermanisë në Bashkimin Europian.

Kancelarja do të formojë Qeverinë e saj të katërt pasi që Social-Demokratët votuan në favor të një tjetër koalicioni të madh në Gjermani.

Dy të tretat e anëtarëve të SPD-së e mbështetën marrëveshjen, pavarësisht kërcënimit me veto.

SPD-ja ka qenë e ndarë midis lidershipit të partisë, që e mbështeste koalicionin dhe krahut radikal të tij, që ishte kundër tij.

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier e ka propozuar formalisht zonjën Merkel për kancelare.

Merkel tani përballet me një varg sfidash, përfshirë opozitën e fuqishme nga nacionalistët e Alternativës për Gjermaninë.

Partia anti-emigracionit ka hyrë në Parlamentin federal për herë të parë në shtator me vetëm mbi 12 për qind të votave dhe tani përbën grupin më të madh opozitar në vend./21Media