Mërgimi i Fatit në Dërrasat e Teatrit 'Dodona'

Komedia e regjisorit Kastriot Saqipi, e shkruar nga Ilir Ajdini, sjell historinë e dy emigrantëve kosovarë në Gjermani që kanë vetëm dy të përbashkëta.

Tushi (Brahim Basha) dhe Shemshiti (Basri Shala-Virusi) edhe pse me pikëpamje dhe ideale të ndryshme përputhen te dashuria e tyre për vendin dhe dëshira që të fitojnë sa më shumë para nga shteti gjerman.

Mirëpo pikërisht pikat lidhëse ne mes tyre, krijojnë problemet më të mëdha me të cilat ata duhet të përballen.

Agron Shala, drejtori i Teatrit “Dodona” tha se “shfaqja flet për realitetin e hidhur dhe zhgënjimet”.

“Është mirë që kemi edhe një tekst shqiptar sepse unë i kam në qejf tekstet shqiptare që merren edhe me problemet tona reale, sepse kështu e zhvillojmë edhe dramaturgjinë,” tha ai.

Regjisori i shfaqjes Kastriot Saqipi duke folur për personazhet, tha se ata në një moment ndodhen në një situatë kur duhet të nisin nga e para.

“Kur kthehen në Kosovë ata e vrasin idealin e vet edhe është një emocion jashtëzakonisht i rëndë për personazhet të cilët janë në këtë shfaqje që në fund kthehen prapë (në Gjermani), por kthehen pa letra dhe janë të shpallur që të dy të vdekur dhe nuk dinë sesi t’ia fillojnë jetës, duhet me fillu gjithçka prej zeros dhe këtu përfundon edhe shfaqja,” tha ai.

Aktori Basri Shala-Virusi  tha se shfaqja është komedi dhe se akoma gjatë provave po qeshin me momentet e krijuara.

“Është meritë e dramaturgut që na ka vendosë në atë situatë që për publikun është komedi, e ne kemi probleme. Është telashe e madhe mos me thanë tragjedi, por ne vazhdojmë edhe tash sigurt mbas premierës ne kemi me vazhdu me kesh me kushtimisht budallakinë tonë, por gjithmonë duke menduar me e zgjidh problemin që e kemi,” tha ai.

Premierën e shfaqjes “Ikja nga Gjermania” publiku do të këtë mundësinë që ta ndjekë të enjten mbrëma me fillim në orën 19:30.