Mentor Shala, drejtor i përgjithshëm i RTK-së. Foto: Kallxo.com

Mentor Shala: Politika, Përmes Bakterieve, po Tenton ta Infektojë RTK-në

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Shala ka sqaruar se në statusin e tij në Facebok ku disa punëtorë i kishte quajtur bakter, e kishte pasur fjalën për njerëz të infektuar nga politika, ndërkaq antibiotikët sipas tij janë rregulloret e këtij mediumi.

“Ata që kanë ditë me lexu dhe kanë dashtë me lexu dhe me kuptu e kanë kuptu. RTK është gati në përfundim të ligjit, ndoshta të gjetjes së një zgjidhjeje të përhershme të financimit dhe pronës. Fjalën baktere e kam përdorur në kuptimin e infektimit të RTK-së, baktere politike, pra politika përmes disa baketerieve po tenton me infektu RTK-në”, tha Shala.

Shala për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, që iu dedikua sigurisë së gazetarëve foli edhe për sulmin me mjet shpërthyes që kishte ndodhur në shtëpinë e tij vitin e kaluar.

“Në bazë rrethanave në të cilat kemi kaluar ka qenë qëllimi i frikësimit, fillimisht të gazetarëve të RTK-së e pastaj duke e sulmuar edhe zotin e shtëpisë për ta fuqizuar edhe më shumë frikën për të mos raportuar ose për të raportuar në forma të vetëcensurës edhe mendoj që e ka pasë efektin”, tha Shala.

Këtë të enjte në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, do të mund të ndiqni reportazhin me rrëfimet e gazetarëve për kërcënimet që i kanë marrë gjatë punës.

Gjithashtu, në studio për këtë çështje do të debatojnë Përfaqësues të gazetarëve dhe organeve mbrojtëse.

Deklaratën e Mentor Shalës mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: