Nga gjykimi i vëllezërve Beqiri për shmangie nga tatimi | Foto: KALLXO.com

Mentor Beqiri Kundërshton Akuzën për Shmangie nga Tatimi

Mentor Beqiri, dy vëllezërit e tij Arjanit dhe Albert Beqiri, po ashtu edhe Vesat Imeri dolën sot para gjyqtares Iva Nikshiq në Gjykatën e Vushtrrisë për të deklaruar fajësinë ose pafajësinë rreth veprave me të cilat ngarkohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Tre vëllezërit Beqiri në këtë proces gjyqësor akuzohen për krim të organizuar, shmangie nga tatimi e shpëlarje parash, ndërsa Vesat Imeri përveç për krim të organizuar e shpëlarje parash, ngarkohet edhe për dhënie të ndihmës në shmangie të tatimit.

Katër të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për pikat e aktakuzës me të cilat ngarkohen.

Mentor Beqiri tha se nëse gjykata do i japë mundësinë do të dëshmojë me fakte  se nuk ekziston as dyshimi i bazuar për akuzat ndaj tij.

Ky grup akuzohet për shmangie tatimi në vlerën 1 milion e 690 mijë euro.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, kopjen e së cilës e ka siguruar KALLXO.com, tre vëllezërit Beqiri nga Mitrovica  akuzohen se kanë bërë shmangie të tatimit.

“Në mes të vitit 2011 dhe 2012 në territorin e Kosovës në cilësinë e tyre si pronarë të regjistruar të biznesit individual NTP ‘Oil Kosova’, me qëllim për t’u shmangur pjesërisht ose tërësisht pagimit të tatimeve, tarifave apo kontributeve të parashikuar me ligj, kanë dhënë informacione të rreme ose kanë hequr informata për Administratën Tatimore të Kosovës lidhur me të ardhurat e gjeneruara në kuadër të veprimtarisë NTP ‘OIL Kosova’”, thuhet në aktakuzën e PSRK.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vesat Imerin se u ndihmoi vëllezërve Beqiri për shmangien nga tatimi.

“Në mes të vitit 2011 dhe 2012 në cilësinë e tij si punonjës dhe kontabilist i NTP Oil Kosova’ ka ndihmuar Albert, Arjanit dhe Mentor Beqirin në kryerjen e shmangies së tatimit”, shkruhet në pikën e dytë të aktakuzës.

Pika tre i akuzon këta katër persona se duke e ditur, ose duke pasur arsye për të ditur se pasuria e caktuar buron nga ndonjë formë e aktivitet kriminal, pasuri kjo që në fakt ka prejardhje nga krimi, ata së bashku kanë kryer shpëlarje të parave.

Edhe pika e katërt i akuzon të akuzuarit për krim të organizuar si pjesë e një grupi të strukturuar që ka ekzistuar në një periudhë kohe për të siguruar dobi pasurore apo dobi tjetër financiare.

Seanca e radhës pritet të mbahet pas afatit 30 ditor që kanë avokatët mbrojtës për ta kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës të cilën në seancën e sotme e ka përfaqësuar prokurorja Damare Theriat.

Kryetarja e trupit gjykues Iva Nikshiq aprovoi kërkesën e avokatëve mbrojtës që klientëve të tyre mos të u shfaqet fytyra në media.

Kjo kërkesë fillimisht erdhi nga Mahmut Halimi, avokati i Mentor Beqirit.

KALLXO.com ndoqi edhe një gjykim tjetër ku tetë persona ngarkohen për dëme milionëshe të shkaktuara buxhetit të Kosovës nga shmangia e tatimit përmes firmave fiktive.

http://kallxo.com/gjykimi-per-demin-milionesh-nga-shmangia-e-tatimit/

Edhe emisioni “Jeta në Kosovë” gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar zbuloi një vjedhje të organizuar tatimore nëpërmjet firmave fantome.

Vjedhja e Organizuar Tatimore