Menduh Thaçi, kryetar i dorëhequr i PDSh-së. Foto: Facebook

Menduh Thaçi Jep Dorëheqje nga Kreu i PDSh-së

Thaçi shpalli dorëheqjen e tij të enjten me anë të një postimi në Facebook, por nuk specifikoi cilat janë arsyet e vendimit të tij dhe nëse rezultati i dobët në zgjedhje luajti rol për ta marrë këtë vendim.

“Të dashur miq, sapo dorëzova dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare”, tha Thaçi.

Ai tha se PDSh do të drejtohet nga këshilli drejtues i partisë deri në mbajtjen e një kongresi të jashtëzakonshëm data e të cilit pritet të caktohet.

“Koordinator i aktiviteteve u emërua Sekretari i Përgjithshëm Azem Sadiku, ndërsa unë mbetem ushtarë i bindur i Partisë Demokratike Shqiptare”, shtoi Menduh Thaçi.

Dorëheqja e tij erdhi pasi PDSh mori vetëm 2 nga 120 ulëset në parlamentin e Maqedonisë në zgjedhjet e 11 dhjetorit, rezultati më i dobët i arroitur ndonjëherë nga kjo parti. Në zgjedhjet e vitit 2014, kjo parti kishte 7 deputetë.

Gjatë viteve të kaluara, partia e Menduh Thaçit ka qenë e pllakosur me përçarje të brendshme ndërsa ish anëtari i saj Ziadin Sela formoi partinë e re PDSh- Reformatore. Kjo parti fitoi tri ulëse në Kuvend.

Thaçi e drejtoi PDSh-në që nga viti 2007 kur paraardhësi i tij, Arbër Xhaferi dha dorëheqje nga posti.