Pamje nga hapja e ofertave të shitjes së 60 aseteve nga AKP - Foto: KALLXO.com

Menaxhmenti i AKP-së Flet për Statistika Pozitive

Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit flasin për shifra rekorde të dala nga puna e Agjencisë gjatë vitit 2017-të.

Ekrem Hajdari, drejtor menaxhues i AKP-së tha se viti 2017 ka qenë vit i suksesshëm në të cilin, Agjencia që ai e drejton, ka inkasuar shifra rekorde.

Ai bëri të ditur se në këtë vit janë realizuar 11 valë të privatizimeve me numër më të madh të ofertave.

“I kemi ofruar për shitje afër 1000 asete, për të cilat ne kemi marrë mbi 2000 oferta”, tha Hajdari duke rikujtuar se vitet e kaluara interesimi ka qenë më i ulët.
Drejtori i AKP shtoi se vlera e aseteve për shitje e ka arritur vlerën 61 milionë, që sipas tij, paraqet vlerë rekorde.

Ndërkaq, në raportin e AKP-së shihet se dhjetori ka qenë muaji me më së shumti shitje të aseteve, me 13.5 milionë.

Në këtë raport, shifra më të mëdha vërehen edhe te inkasimi i qirave të pronave të AKP-së, ku shihet se nga 6.1 milionë në vitin e kaluar, në këtë vit pritet të inkasohen 7.05 milionë euro.

Ky i fundit, duke folur rreth pronave të Agjencisë së Privatizimit, shtoi se ka edhe prona në Mitrovicë veriore që pritet të bëhen pjesë e pronave të AKP-së.

I pyetur nga gazetarët se kur pritet të përfundohet procesi i privatizimit, Ekrem Hajdari u përgjigj se në 7 vitet e ardhshme do ta mbyllin procesin e privatizimit.