Memli Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Memli Krasniqi: T’i Çlirojmë Qytetarët Nga Trauma Kolektive për Demarkacionin

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se deputetët e kësaj partie unanimisht do ta mbështesin marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ndërsa u bëri thirrje edhe deputetëve tjerë që ta mbështesin këtë marrëveshje.

“Çështja që edhe një herë e kemi sot është temë që në tri vitet e fundit është diskutuar dhe është thënë gjithçka”, tha Krasniqi në seancën e Kuvendit në të cilën votimi i marrëveshjes për demarkacionin është pika e vetme e rendit të ditës.

“Sot tri vite më vonë, pas një letre mes presidentëve, ku në mënyrë zyrtare merren përsipër obligimet bilaterale për të shqyrtuar e përmirësuar nëse ka fakte. Ne besojmë që kanë pushuar arsyet për kundërshtimin e marrëveshjes. Ne sot jemi mbledhur, besoj përmes ratifikimit të marrëveshjes dhe për të çliruar qytetarët nga kjo traumë kolektive”, tha Krasniqi.

“Sot në emër të PDK-së kërkojmë nga të gjithë kolegët deputetë që me vendimin e tyre t’i kenë parasysh interesat e qytetarëve, dhe jo interesat politike ditore. Ne unanimisht do te votojmë pro”, tha ai.

Më herët Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.