Pamje nga konferenca për media e drejtuesve të shoqatave të qumështarëve - Foto: KALLXO.com

Memaj: Konsumatorët po Rrezikohen nga Vaji i Palmës

Shoqata e Qumështarëve të Kosovës dhe Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit kanë paraqitur sot rezultatet e analizave laboratorike të disa produkteve, të cilat, sipas tyre, tregojnë se përmbajnë yndyrë bimore dhe jo yndyrë të qumështit siç pretendohet se kanë.

“Për vite me radhë konsumatorit kosovar po i servohen produkte me yndyrë bimore, kryesisht nga vaji i palmës, duke i paraqitur ato si produkte të qumështit”, tha Ramadan Memaj, kryetar i Shoqatës së Qumështarëve.

Memaj tha se për të mashtruar konsumatorin në këto produkte nuk ceket fare se çfarë yndyre përmbajnë, por ceket vetëm përqindja e yndyrës.

Duke ofruar të dhënat e analizave, Memaj ka përmendur produkte të disa kompanive vendore të përpunimit të qumështit, të cilat përmbajnë yndyrë bimore në vend se të përmbanin yndyrë të qumështit.

Në mesin e kompanive produktet e të cilave janë analizuar dhe kanë dalë me yndyrë të bimëve Memaj ka përmendur “Bylmeti” dhe “ABI”.

Por, drejtues të këtyre kompanive mohojnë pretendimet e Ramadan Memajt.

Ymer Berisha, zyrtar i kompanisë “Bylmeti” në një prononcim për KALLXO.com i ka quajtur “shantazh” veprimet dhe deklaratat e Ramadan Memajt, për të cilin tha se nuk është qe një muaj kryetar i Shoqatës, post nga i cili, sipas tij, është shkarkuar.

Po ashtu, Berisha e ka quajtur të padrejtë veprimin e Memajt. Sipas tij ka rregulla se kush duhet të marrë mostra e kush duhet të dërgojë në analiza produktet.

“Nuk mundet sidomos konkurrenti me marrë analiza edhe me i dërgu në laboratore jo të akreditume sidomos jashtë shtetit, kur shteti i ka laboratoret. Ne i posedojmë të gjitha certifikatat e përmbajtjes të produkteve të qumështit nga Enti Kombëtar për Shëndetin Publik”, tha drejtor i “Bylmetit”, duke theksuar se Ramadan Memaj mbron interesat e kompanisë “Vita”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e kompanisë “ABI”, produktet e të cilës po ashtu janë analizuar dhe sipas rezultateve të paraqitura nga Ramadan Memaj kanë dalë me përmbajtje të yndyrës së bimëve.

“Ne nuk i përdorim yndyrat bimore. Shoqata nuk është kompetente me dërgu për analiza asnjë produkt por Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës është kompetent që mundet me marrë mostra dhe me i dërgu për analiza sepse nëse i dërgon Shoqata, munden me manipulu me produkte për hir të hakmarrjes. Kështu që ato analiza nuk janë valide. Valide janë vetëm analizat e AVUK-ut”, tha drejtor i kompanisë “ABI” Alajdin Fusha.

Ndryshe, Ramadan Memaj tha se në Kosovë, sipas raportit të Doganave, vetëm në vitin 2016 janë importuar rreth 1.8 milion kilogramë vaj palme. “Ky vaj palme është duke u përdorur në produkte që do të duhej të ishin nga qumështi”, theksoi ai.

Sipas tij, vaji i palmës në ushqim është i rrezikshëm, madje në raste edhe kancerogjen. Kjo, sipas Memajt është dëshmuar edhe nga Komisioni Evropian, në raportin e vitit 2016.

Vaji i palmës është shumë më i lirë se qumështi dhe sipas Memajt fermerët dhe prodhuesit e produkteve të qumështit nuk mund të konkurrojnë me të, nëse i njëjti paraqitet si produkt qumështi.

Ndërsa, Besim Kuqi, kryetar i Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit tha se importet dhe prodhimi brenda vendit i produkteve me yndyrë palme kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme për industrinë e qumështit në Kosovë.

“Vetëm brenda tri viteve të fundit janë më tepër se 27 milionë kilogramë prodhime finale me bazë vajin e palmës. E llogaritur në sasi ditore kjo do të ishte në masën 172.600 kilogramë qumësht ditor”, tha Kuqi.

Për këtë arsye, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës dhe Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit kanë paraqitur kallëzim penal kundër Agjencionit të Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK) dhe disa kompanive që ata dyshojnë se po manipulojnë me konsumatorin duke prezantuar rrejshëm produktet dhe duke shkaktuar dëme në industrinë e qumështit dhe në shëndetin e konsumatorëve.

Redaktoi: Naser Sertolli