Mehmeti: Qelbësira Nuk Pastrohet me një Qelbësirë Tjetër

Shkrimtari dhe publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, thotë se një bashkim opozitar i shqiptarëve në Maqedoni sipas modelit të Kosovës nuk është i frytshëm.

Në një kohë kur kriza politike në Maqedoni është thelluar për shkak të mospajtimeve të spektrit politik të shtetit, por edhe brenda vetë dy komuniteteve më të mëdha në vend, maqedonëve dhe shqiptarëve, Mehmeti thotë që formula më e mirë që fqinji lindor i Kosovës të mbijetojë është që ai të bëhet shtet dyetnik.

Një ndër analistët më në zë nga Shkupi, ka folur për këtë në një intervistë për KALLXO.com.

“Për mua personalisht është më mirë nëse Maqedonia bëhet shtet dyetnik, i cili ndërtohet në bazë të demokracisë konsensuale ku asgjë nuk mund të vendoset përmes majorizimit etnik, sepse këtu qëndron problemi i Maqedonisë. Maqedonia deri tash veç edhe një formulë nuk e ka provuar, e të cilën duhet ta provojë -demokracinë dyetnike konsensuale. E nëse as kjo nuk funksionin, atëherë Maqedonia nuk do të ekzistojë”, u shpreh Mehmeti.

Ai ka folur edhe për përçarjen dhe mosbashkëpunimin e partive shqiptare në Maqedoni duke renditur disa arsye.

“Nuk bashkëpunojnë sepse interesi nuk shkon përtej asaj se kush do t’i marrë tenderët. Pra nuk është ajo që flitet se është interesi i popullit. Shpeshherë këto partitë tona i ngjajnë asaj lopës, të cilën e ushqenin i tërë populli por në fund e mjelin vetëm kryesuesit e saj. E deri sa janë të tilla edhe interesi ka të bëje me atë se unë nuk bashkohem me askënd nëse mund që tërë fitimin ta marr për vete, pse atëherë të bëhet aleancë”, tha Mehmeti në lidhje me partitë shqiptare në Maqedoni.

Mirëpo, sipas tij, gati se e njëjta ndodhë edhe me partitë politike në Kosovë.

Ai bën edhe krahasime mes opozitës e cila është bërë bashkë në Maqedoni dhe opozitës kosovare që deri para pak kohe ishte e bashkuar në kauzën për ta rrëzuar qeverinë e koalicionit PDK- LDK.

“Unë kurrë nuk do të doja bashkim të partive opozitare siç ka ndodhur në Kosovë apo ajo logjika që ka ndodhur në Shqipëri: le të mblidhemi të gjithë qelbësirat që të largojmë qelbësirën tjetër. Nuk pastrohet qelbësira me qelbësirë. Pra, Këshilli opozitar në Maqedoni ka një logjikë tjetër, që nuk fillon dhe përfundon opozita me partitë”, deklaroi ai.

Publicisti Mehmeti ka folur edhe për takimet e përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas tij, kjo është thjesht një paradë.

“Kjo është më shumë një paradë për publikun se sa që ka ndonjë efekt sepse në fund të fundit ato nuk duhet takuar para kamerave por duhet veprojnë sepse atyre ju ndodhin gjëra qesharake, që patatet e Shqipërisë të hyjnë më vështirë në Kosovë se sa ato të Serbisë”, tha mes tjerash Mehmeti duke shtuar se krejt çka do të ndodhë është një duartrokitje që do të marrin nga ne.

Ndërsa rreth zhvillimeve politike në Maqedoni dhe idesë së federalizmit të shtetit maqedonas para disa ditësh kanë folur për KALLXO.com edhe i pari i BDI-së, Ali Ahmeti si dhe kreu i Strugës, Ziadin Sela.

http://kallxo.com/ali-ahmeti-kunder-federalizimit-te-maqedonise/

http://kallxo.com/sela-federalizmi-nje-prej-zgjidhjeve-te-mira-per-maqedonine/