Mehmeti: Bizneset Fiktive në Veri, Pronarët janë Familjarë

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, transmetoi reportazhin ekskluziv të bastisjeve në Mitrovicën Veriore. Nën drejtimin e prokurorit Sahit Tmava,  Prokuroria e Shtetit  në Mitrovicë ka nisur të mërkurën  njërin nga aksionet më të mëdha të hetimit të evazionit fiskal në veriun e Mitrovicës pasojat e të cilit llogariten me miliona euro në buxhetin e shtetit.

Një bashkëpunim në mes kompanish nga jugu i Kosovës me kompanitë e regjistruara në veri ka krijuar mundësinë e lëshimit të faturave fiktive të cilat janë përdorur më pas për t`u shmangur tatimeve.

Veprimet e dyshimta janë vërejtur fillimisht nga një ekip hetimor i Administratës Tatimore i drejtuar nga Murat Mehmeti.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, raportet e para nga ky hetim janë dorëzuar në prokurori javë më parë për të mundësuar kështu nisjen e një hetimi të gjerë të prokurorisë për të zbardhur këtë skandal.

“Kjo është një skemë tipike e mashtrimit, e vjedhjes, respektivisht e veprave penale të shmangies tatimore. Përfituesi që ne besojmë dhe kemi dëshmi të bazuara se ka përfituar dhe ka kredituar në mënyre të padrejtë në një periudhë disavjeçare, tatimit e vlerës së shtuar është biznesi ‘A’.. Mënyrën se si e kanë organizuar, në mënyrë sistematike, vazhdimisht ka krijuar transaksione, duke pranuar fatura të blerjes nga bizneset fiktive”, ia sqaroi situatën Murat Mehmeti ekipit të tij, para se të dilnin në terren për të kryer bastisjet.

Siç tregoi reportazhi i transmetuar, në mes të katër bizneseve që dyshohet të jenë të përfshira në vjedhjen e tatimeve ka lidhje të afërta familjare.

“Nga raportet e kontrollit që ATK-ja e Mitrovicës ka analizuar, ekziston një ndërlidhshmëri  familjare në mes të bizneseve fiktive. Ne dyshojmë se pronar është njëri, pastaj nuk përjashtohet mundësi që në të ardhmen të zgjerohen hetimet edhe të shohim se kush ka kontribuuar edhe nga kontabilistët”, ka treguar inspektori Murat Mehmeti.