Foto: FHK

Mediat: Qeveria e Serbisë Anulon Ndeshjen e Hendbollit Serbi- Kosovë

Qeveria e Serbisë anuloi sot ndeshjen e hendbollit në kategorinë e të rejave Serbi- Kosovë e cila ishte dashur të luhej sot në orën 16 në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës, raporton gazeta beogradase Blic.

Ndeshja e së premtes ka shkaktuar tensione në Serbi për shkak se shteti serb nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Skuadrat e hendbollit të femrave të Serbisë dhe Kosovës duhej të luanin kundër njëra-tjetrës në Serbi të premten, duke shkaktuar një përzierje të njohur të tensioneve etnike dhe politike.

Një lëvizje e ekstremit të djathtë e Serbisë, Zavetnici, i bëri thirrje autoriteteve serbe të anulojnë lojën, duke e quajtur atë një “lojë jo kushtetuese, e cila fyen dinjitetin e popullit serb”.

“Është e papranueshme që ekipi ynë kombëtar të mos këndojë himnin kombëtar dhe të tregojë simbolet shtetërore serbe në mënyrë që të mos ofendojë krijimin separatist të Prishtinës”, tha Zavetnici më 18 mars.

Nacionalistët serbë kundërshtojnë ashpër çdo njohje të Kosovës.

“Përzierja e politikës dhe sportit gjithmonë ka pasoja të këqija për këto gara”, tha për BIRN, Rade Maroeviq, gazetar serb, i cili ka mbuluar me vite çështjen Serbi-Kosovë.

Ai shpjegoi se në këtë rast, “disa lëvizje të ngathëta” iu paraprinë polemikave që kanë rrethuar këtë ndeshje.

Ai tha se Federata Evropiane e Hendbollit duhet t’i ketë vendosur të dy ekipet në grupe të ndryshme”, siç bëri UEFA pas ndeshjeve midis Serbisë dhe Shqipërisë në kualifikimet për Kampionatin Evropian në Francë”.

Ai shtoi se kur ata e gjetën veten në të njëjtin grup, “duhet të kishin marrë parasysh faktin se lojtaret janë praktikisht fëmijë dhe se një presion i tillë, që nuk ka të bëjë asgjë me sportin, do të jetë barrë e rëndë pa nevojë.

“Kosova është ende një çështje aktuale në Ballkan, kështu që përhapja e kësaj krize në sport, për fat të keq, është e pashmangshme”, tha ai.

Federata e Hendbollit e Serbisë njoftoi më 21 mars se ndeshja do të luhet në Serbi pa tifozë apo media të pranishme, pa himnet kombëtare ose shfaqjen e simboleve kombëtare.

Për arsye sigurie, loja do të luhet gjithashtu në Kovilovo, afër Beogradit, jo në qytetin qendror serb të Kragujevcit, siç u njoftua më parë.

Ekipi i Kosovës arriti të enjten në Beograd pa incidente. Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraqini, tha për BIRN se policia serbe e kishte përcjellur ekipin, dhe se nuk u raportua asnjë problem.

“Kërkuam siguri të fortë dhe shmangien e çdo situate të pakëndshme. Gjatë rrugës për në Beograd, ekipi ynë kishte përcjellje policore, dhe gjithçka ka shkuar pa probleme deri më tani”, tha Saraqini.

Ai tha se fillimisht Kosova kishte refuzuar të luante pa simbolet e saj shtetërore, por, pas konsultimit me Federatën e Kosovës dhe Komitetin Olimpik të Kosovës, “vendosëm të vazhdonim me turneun.

“Sipas një vendimi të Federatës Evropiane të Hendbollit, për shkak të situatës së ndjeshme, u vendos që asnjëri nga përfaqësuesit nuk do të përdorë  simbolet shtetërore”, vuri në dukje Saraqini.

Duke komentuar mbi lokacionin e ndryshuar të ndeshjes, Saraqini tha se Federata e Serbisë e kishte sugjeruar këtë për arsye sigurie.

“Federata Evropiane e Hendbollit e miratoi këtë kërkesë. Ne e pranuam këtë ndryshim … sepse ne gjithashtu jemi të interesuar të mos kemi ndonjë problem”, i tha Saraqini për BIRN.

“Por, nuk është e qartë për ne pse mediat nuk lejohen të ndjekin ndeshjen”, shtoi ai.

Një tjetër parti serbe e krahut të djathtë, Dveri, bëri thirrje gjithashtu për anulimin e lojës. Në një deklaratë për shtyp, ajo tha se “nëse sporti përfaqësues nuk është në funksion të mbrojtjes së interesave shtetërore, atëherë ai nuk është një sport përfaqësues”.

Në tetor të vitit 2014, një dron që mbante një flamur me hartën e Shqipërisë së Madhe shkaktoi një incident të madh, kur fluturonte mbi fushë gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare midis Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.