Media dhe Transparenca në Dialogun Kosovë-Serbi

Roli i mediave në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë- Dialogun e Brukselit, ishte temë diskutimi në prezantimin e raportit “Media dhe Shoqëria Civile si Medium i Vetëdijesimit mbi Realitet Politike”, të përgatitur nga OJQ “Iniciativa Sociale e Re- NSI.

Me këtë rast është vënë në pah roli i pazëvendësueshëm i mediave në informimin e publikut rreth asaj çfarë ka ndodhur në dialogun në mes të shteteve, Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit.

Lura Limani, redaktore e gazetës “Prishtina Insight” tha se duhet të hapet një kanal zyrtar për informimin e mediave dhe pastaj përmes kësaj informohet edhe publiku i gjerë qoftë në Kosovë apo në Serbi për atë se çfarë do ndodhë tani e tutje në dialogun Kosovë-Serbi.

“Qka shpresoj, ose qka do duhej të bëhej është që në momentin e vazhdimit të dialogut do të duhej që të hapej një kanal zyrtarë, konferenca shtypi të përbashkëta, një informim i gazetarëve i përbashkët, apo thjeshtë një llogaridhënieje të cilët (gazetarët) pastaj munden me i interpretuar ato të dhëna për publikun e gjerë”, tha Lura Limani. Sipas saj, është e pamundur që secili qytetarë qoftë, ai i Kosovës apo i Serbisë që do hyjë në ueb-faqet zyrtare dhe të informohet rreth marrëveshjeve.

“Ne si gazetarë duhet ta kemi një rol kyç në interpretimin e asaj se qka po ndodhë në nivelet politike dhe ato të larta ndërkombëtare. Pra roli ynë do duhej të ishte që t`u ofrojmë informata sa më të detajuara qytetarëve. Mirëpo përderisa ne nuk kemi  qasje kjo do jetë e vështirë”, ka thënë redaktorja e Prishtina Insight Lura Limani.

Gazetari dhe analisti politik Imer Mushkolaj, tha se roli i medias dhe i shoqërisë civile padyshim se është i rëndësishëm në informimin e publikut qoftë atyre shqiptarë, apo serbë si në Kosovë, ashtu dhe në Serbi.

Mushkolaj tha se çështja   e mungesës së transparencës  së dialogut të Brukselit është ngritur vazhdimisht.

“Përkundër mungesës së transparencës, falë rolit të mediave, jo të gjitha mediave kuptohet, megjithatë kemi një situatë më të mirë e cila ka nevojë për përmirësim të mëtejmë. Por shtohet pyetja si të përmirësohet, qytetarët shqiptarë të Kosovës natyrisht informohen nga media në gjuhën shqipe  për atë se çfarë ndodhë në Bruksel. Kurse në masën më të madhe serbët e Kosovës për këtë dialog informohen nga mediat e Serbisë. Dhe kjo për faktin se nuk është se ka shumë media të fuqishme në gjuhën serbe në Kosovë edhe se mediat lokale e bëjnë punën e tyre”, tha Mushkolaj.

Ai tha se është e nevojshme që qytetarët e Kosovës, në veçanti gazetarët të fillojnë të mësojnë gjuhën e njëri tjetrit, pasi që vetëm kështu mund të eliminohen disa nga barrierat ekzistuese sa i përket informimit më të mirë.

Raporti prej 25 faqesh përgaditur nga OJQ Iniciativa Sociale e Re- NSI përmbledh në vete të dhëna të detajuara për rolin e mediave dhe shoqërisë civile në raport me informimin e publikut rreth dialogut te Brukselit.

Publikimi i këtij raporti është bërë të mërkurën në qytetin e Mitrovicës Veriore.