Më Pak Udhëtime dhe Transport me Trena

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi të dhënat për transportin dhe telekomunikacionin në vitin 2015.

Sipas ASK-së ka rënë numri i udhëtarëve që shfrytëzojnë trenin si mjet transporti.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2015 numri i pasagjerëve, që e kanë shfrytëzuar trenin, si mjet udhëtimi është 66 mijë. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014, numri i udhëtarëve është ulur për 12.69%,” thuhet në komunikatën e Agjencisë së Statistikave.

Kjo agjenci bën të ditur se kanë rënë gati përgjysmë edhe mallrat që transportohen me trena.

“Transporti i mallrave me tren në tremujorin e tretë të vitit 2015 është 173 mijë tonë. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur ulje për 45.64%,” thuhet në komunikatën e ASK-së.

Agjencia tregon edhe për infrastrukturën hekurudhore të vendit.

“Në territorin e Kosovës kemi gjithsej 333 kilometra binarë hekurudhorë për transport dhe 110 kilometra binarë hekurudhorë privatë (të udhëtarëve), derisa qarkullojnë 8 lokomotiva disel, të cilat bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh,” jep shifra ASK-ja.

Por numri i udhëtarëve dhe fluturimeve me aeroplanë është shtuar në raport me vitin e kaluar.

Numri i fluturimeve në tremujorin e tretë të vitit 2015 është 2 150 ose 11% më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2014). Numri i udhëtarëve që e kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti është rreth 541 mijë. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2014) kemi rritje për 14.59 %,” sqaron ASK-ja.