Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

MD dhe MPB Demantojnë Kryeministrin Haradinaj

Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme në një njoftim të përbashkët kanë bërë të ditur se kanë pranuar përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, një kërkesë nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Serbisë, për ndihmë juridike të ndërsjellë për rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në njoftim thuhet se kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë i është  bashkëngjitur kërkesa e Prokurorisë për Krim të Organizuar të Republikës së Serbisë, në bazë të së cilës kërkohet ndihmë juridike nga Republika e Kosovës sipas procedurave të theksuara në marrëveshjen dypalëshe në fuqi.

“Ministria e Drejtësisë është e hapur për bashkëpunim të ndërsjellët juridik dhe mirëpret gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Serbisë për të ofruar ndihmë juridike përmes shkëmbimit të informatave që mund të kontribuojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë të rastit, njëherit duke mos cenuar në asnjë rrethanë zhvillimet e procedurës hetimore dhe duke siguruar pacenueshmërinë e juridiksionit të Republikës së Kosovës në zhvillimin e hetimeve për rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e MD-së dhe MPB-së.

Kërkesa sipas ministrive ekskluzivisht ndërlidhet me mundësinë e ofrimit të kopjes së dëshmive eventuale, të dhënave dhe njoftimeve të tjera, të cilat i posedojnë apo mund t’i posedojnë organet prokuroriale dhe policore të Republikës së Kosovës, lidhur me këtë rast.

Sipas njoftimit, organet kompetente dhe përgjegjëse për zhvillimin e procedurës penale në Republikën së Kosovës, janë duke punuar intenzivisht për zbardhjen e rrethanave të aktit të vrasjes së politikanit serb në Kosovë Oliver Ivanoviq.

“Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme edhe njëherë ritheksojnë se akti i vrasjes së politikanit serb nga Kosova, z. Oliver Ivanoviq, është absolutisht i papranueshëm dhe i patolerueshëm, prandaj akte të tilla meritojnë një përgjigje të menjëhershme”, thuhet më tutje në njoftimin e përbashkët të të dy ministrive.

Sipas dy ministrive, institucionet dhe organet e sundimit të rendit dhe ligjit, posedojnë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të hetuar këtë rast dhe janë jashtëzakonisht të përkushtuara që kryerësit e këtij akti kriminal të dalin sa më parë para drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot tha se Qeveria e Serbisë ka kërkuar që të shkëmbehen informatat në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.