Senatori John McCain gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës | Foto: Atdhe Mulla

McCain: Pajtimi Çliron Njerëzit e Kombet

Duke konsideruar se nga dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel varet paqja e stabiliteti në rajon, senatori amerikan John McCain në fjalimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës përmendi raportet amerikano-vietnameze për të treguar se pajtimi është i mundshëm.

“Di për dhembjet që shkakton lufta, e di që pajtimi është i vështirë, por e di qe pajtimi çliron njerëzit e kombet. Në këtë rrugë të gjatë të pajtimit, Amerika dhe unë do të jemi me ju”, tha McCain, duke u kërkuar deputetëve kosovarë që e “kaluara të mos e përkufizojë të ardhmen”.

McCain tha se dialogu në Bruksel është jetik për të ardhmen evropiane të Kosovës e Serbisë.

“Porosia ime për ju, e njëjtë me atë qe ia thashë Presidentit serb: avancimi i dialogut është në interesin e kosovarëve e serbëve dhe jetik për të ardhmen europiane të Kosovës e Serbisë dhe për stabilitetin e Europës Juglindore”, tha McCain.

Para se të fliste për pajtimin dhe dialogun, McCain kujtoi një ngjarje të para 24 vjetëve kur gruaja e tij po vizitonte Bangladeshin, ndërsa aty ishte takuar me Nënë Terezën.

McCain tregoi se Nënë Tereza mysafires së saj i kishte thënë që t’i merrte me vete dy foshnja për t’i dërguar në ShBA, pasi sipas Nënë Terezes këto dy foshnja ishin të sëmura dhe do të vdisnin sikur të mos trajtoheshin në një vend si Amerika.

McCain tha se njëra nga ato dy foshnje është vajza e tij Bridget McCain.

Në fjalimin e tij senatori McCain foli edhe për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“Transformimi i FSK-së në forca të armatosura të bëhet me ndryshime kushtetuese. Ky është vendim sovran i juaji. Ky është proces gradual e gjithëpërfshirës, duke përfshirë edhe komunitetin serb”, tha McCain.

Ai lavdëroi Kosovën për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Ligjet e miratuara nga ky kuvend kanë ndihmuar në parandalimin e shkuarjes së ushtarëve në luftëra të huaja. Vitin e kaluar autoritetet kosovare kanë penguar një akt në lojën e futbollit në Shqipëri”, tha McCain, duke siguruar deputetët se Kosova nuk do të jetë vetëm, por do ta ketë pranë Amerikën.

McCain bëri thirrje që të forcohet sundimi i ligjit, të luftohet korrupsioni dhe i kërkoi Kuvendit ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.