Fusha e Përuruar nga Kryeministri, Shfrytëzohet me Pagesë

Para pak më shumë se dy javësh, kryeministri Isa Mustafa ia kishte bërë sefte një fushe të vogël të futbollit, duke e shutuar një penallti në portën që ruhej nga drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Besim Guda.

Por, atë që e kishte bërë shefi i Qeverisë nuk e kanë përjetuar edhe ata për të cilët është ndërtuar ajo – të rinjtë e lagjes gjilanase “Dardania”.

Dy ditë pas përurimit, fusha e futbollit është mbyllur dhe të rinjtë nuk mund ta shfrytëzojnë pa paguar.

I caktuar nga Komuna për të mbikëqyrur parkun ku gjendet fusha e futbollit, Isuf Morina tha se ajo nuk po mund të shfrytëzohet për shkak se po dëmtohet në forma të ndryshme.

Për këtë arsye, sipas tij, Komuna ka vendosur që të interesuarit që dëshirojnë të luajnë gjatë kohës së ditës të paguajnë 8 euro, ndërsa pas orës 12:00 të natës duhet të paguhet 12 euro për të luajtur dy ekipe mes vete.

fusha e futbollit 1

Sipas Morinës këto para do të dedikohen për mirëmbajtjen e këtij parku pasi që ai tanimë ka filluar të dëmtohet.

Ai përmend edhe domosdonë e angazhimit të ndonjë rojtari për parkun, i cili do të paguhej nga paratë e mbledhura.

Kjo për shkak se të rinjtë e kësaj pjese të qytetit kishin filluar të kacafyteshin. Ata nuk po arrinin të merreshin vesh se kush do të luante së pari dhe për kohën sa do të qëndronin duke rrokullisur topin.

Parku në lagjen “Dardania” të Gjilanit përbëhet nga një fushë futbolli, një fushë basketbolli dhe një shëtitore.

Ky projekt ishte i bashkëfinancuar nga programet e IPA-së në kuadër të projektit “Kosova e Bukur 2”.

Në ceremoninë e përurimit përveç kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë marrë pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa, shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, etj.

KALLXO.com kishte shkruar për këtë ngjarje.

http://kallxo.com/mustafa-shuton-nje-penallti-ne-gjilan/