Bufeja që u mbyll në shkollën e Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Mbyllet Bufeja e Djalit të Aktivistit të AKR-së

Komuna e Mitrovicës ka mbyllur bufenë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” për të cilën në muajin mars emisioni “Drejtësia në Kosovë” raportoi se u dha në shfrytëzim pa tender.

Në muajin mars të këtij viti emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar së bufeja e kësaj shkolle iu dha në shfrytëzim Shkodran Berishës, djalit të një aktivisti të AKR-së, parti kjo që qeverisë në Mitrovicë.

Lajmin për mbylljen e bufesë për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i kësaj shkolle Gani Rama.

“Kemi pranuar një urdhëresë nga komuna e Mitrovicës për mbylljen e bufesë dhe ajo është mbyllur, tash Komuna e Mitrovicës sipas asaj urdhërese pritet të hapë tender për shfrytëzim e saj”, tha Rama.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri kur u intervistua nga emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte premtuar se do ta mbyllë bufenë dhe do kërkojë që aty të hapet tender për shfrytëzimin e saj.

“Sigurisht se po”, kishte thënë Bahtiri.