Foto-ilustrim

Mbyllen Hetimet për Trupin e Pajetë qe u Gjet Dje në ‘Dardani’

Ndonëse është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, trupit të personit që dje është gjetur pa shenja jete në lagjen “Dardania” në Prishtinë nuk i është bërë autopsia.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori Ibrahim Berisha.

Sipas prokurorit, personi në fjalë ishte vetëvrarë, prandaj edhe nuk është kryer obduksioni.

“Në bisedë me familjarët ata kanë shprehë gatishmëri që mos me çu në obduksion. Nuk ka pasë shenja jeta. Edhe unë kam qenë në vend të ngjarjes personalisht. Nuk ka dyshim të bazuar që diçka ka ndodhë, përveç vetëvrasjes”, tha për KALLXO.com prokurori Berisha.

Prokurori theksoi se viktima e ka përdorë një mjet me të cilin është varrë te banesa e tij.

“Motra e tij ka thënë se para gjysmë ore ai ka qenë duke fjetur dhe kur ka shku poshtë në fund të shkallëve është ni pjesë qaty me ni kabëll ia ka marrë vetit jetën. Dhe mbi këtë bazë, prokuroria e ka pa të arsyeshme që mos me u bo obduksioni”, shtoi prokurori.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliun, i cili konfirmoi se edhe pse trupi është sjellë në IML, me urdhër të prokurorit autopsia nuk i është bërë.

“Trupi i personit të pajetë është sjellë dje dhe me urdhër të prokurorit është lëshuar pa autopsi. Trupi i pajetë i është kthyer familjarëve”, tha Gërxhaliu.

http://kallxo.com/hetime-rreth-nje-vdekjeje-te-dyshimte-ne-prishtine/

KALLXO.com ka shkruar sot për këtë rast.