Vendi ku mina tokësore vrau dy ushtarë të NATO-s dhe një civil në vitin 2003. Foto arkiv.

Mbrojtja Shpreson në Rrëzim të Akuzave në Rastin ‘Sopoti’

Fshatarët shqiptarë të akuzuar për vendosjen e një mine që vrau dy ushtarë të NATO-s në Maqedoni në vitin 2003 shpresojnë që Prokuroria Speciale t’i rrëzojë të gjitha akuzat kundër tyre.

Avokatët mbrojtës për 11 banorë të fshatit verilindor të Sopotit, të cilët po rigjykohen nën dyshimet për vendosjen e minave në vitin 2003 që vranë dy ushtarë polakë të NATO-s dhe një civil maqedonas, kanë shprehur shpresë se Prokuroria Speciale do t’i rrëzojë të gjitha akuzat në seancën e ardhshme dëgjimore të programuar të mbahet më 18 shtator.

NDËRLIDHUR

“Unë mendoj se Prokuroria Speciale do t’i rrëzojë akuzat në këtë çështje në seancën e parë, pasi siç u vërtetua nga bisedat e përgjuara midis ish-zyrtarëve të lartë maqedonas, në përgjimet e bëra publike nga kundërshtarët e tyre, se ky ishte një kurth i motivuar politikisht,” tha Naser Raufi, një nga avokatët e të pandehurve.

Prokuroria Speciale, e cila u ngrit në vitin 2015 për të hetuar krimet e dyshuara të nivelit të lartë që dolën në dritë në bisedat e përgjuara të cilat u bënë publike në fillim të atij viti, kërkoi zyrtarisht ta merrte përsipër çështjen më 4 nëntor 2016.

Pas shumë diskutimesh, më në fund ajo e mori çështjen këtë muaj. “Prokuroria për Krime të Organizuara dhe Korrupsion ia dorëzoi çështjen e Sopotit Prokurorisë Speciale më 5 korrik. Pas shqyrtimit të çështjes, Prokuroria Speciale vendosi më 10 korrik se çështja është nën juridiksionin e saj,” tha Prokuroria Speciale të enjten e kaluar.

Mbrojtja kishte shpresuar gjatë gjithë kësaj kohe se Prokuroria Speciale do ta merrte përsipër çështjen sepse ajo ishte përmendur nga zyrtarë të lartë në bisedat e përgjuara. Avokatët mbrojtës shpresuan se përgjimet do të hidhnin dritë mbi këtë krim.

Në një nga bisedat e përgjuara, që dyshohet se ishin zërat e ministres së brendshme të asaj kohe Gordana Jankuloska dhe kreu i policisë sekrete në atë kohë Saso Mijalkov, mund të dëgjoheshin teksa flisnin për këtë çështje.

Në bisedë, Jankuloska i sugjeron Mijalkovit se duhet të konsultoheshin me kryeministrin e atëhershëm Nikola Gruevski mbi mënyrën si të procedonin me këtë çështje të ndjeshme dhe të dy janë në dijeni se dënimi i fshatarëve, që u shpallën fillimisht fajtorë në vitin 2010, bazohet në prova shumë të dobëta.

Nuk përjashtohet mundësia që përgjime të tjera, të cilat tashmë janë në duart e Prokurorisë Speciale, mund të tregojnë detaje të tjera në lidhje me këtë çështje, sepse në vitin 2015 opozita e atëhershme bëri publike vetëm një numër të vogël të këtyre përgjimeve.

Shpërthimi i minave në Sopot ndodhi në vitin 2003 kur Maqedonia po merrte ende veten nga konflikti i armatosur i vitit 2001 midis kryengritësve etnikë shqiptarë dhe forcave të sigurisë.

Pas një gjyqi të gjatë, 12 të pandehurit u dënuan fillimisht në mars 2010 me një total prej 150 vitesh burg, por pas ankesave nga ana e partive politike etnike shqiptare të Maqedonisë, një komision parlamentar vendosi se gjatë gjyqit kishte pasur disa gjëra që s’ishin përfshirë.

Vendimi i komisionit parlamentar mbështetej në një pretendim nga një prej të pandehurve, Ramadan Bajrami, që rrëfeu pasi u torturua nga policia.

Kjo bëri që gjykata të urdhëronte një gjykim të ri të çështjes, e cila pritej të fillonte në vitin 2011.

Deri në vitin 2016, një nga 12 të pandehurit fillestar kishte vdekur.

Partitë politike etnike shqiptare në vend e kanë kritikuar rastin e Sopotit dhe disa të tjera si shembuj të padrejtësisë ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

19 Korrik 2017 - 10:58

Sinisha Jakov Marushiq, Shkup 19/07/2017 - 10:58
NDËRVEPRIMI0