Ilustrim

‘Mbrojtësit e Lartësisë’ i fusin duart në zjarr për sigurinë e fluturimeve në Kosovë

Dritan Gjonbalaj, shef i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Arianit Islami nga ky autoritet kanë siguruar fuqishëm se fluturimet në Aeroportin e Prishtinës janë të sigurta.

Në emisionin ku u transmetuan disa çështje shqetësuese lidhur me sigurinë e këtij Aeroporti, folën edhe ata që janë të paraparë të bëjnë mbrojtjen e lartësive tona.

Kallxuesit që më parë kishin punuar në Agjencinë e Shërbimit të Navigacioneve Ajrore (ASHNA) raportuan për disa probleme që sipas tyre mund të komprometojnë sigurinë e fluturimeve.

Mirëpo të pyetur nga Jeta Xhara, zyrtarët e AAC-së thanë se mund t’i fusin duart në zjarr për këtë çështje.

“Shprehje poetike por po të dy duart do t’i fusja në zjarr dhe të garantoja që operimet në Republikën e Kosovës nuk janë aspak më të rrezikshme se në çdo vend tjetër të BE-së”, tha Gjonbalaj

Ngjashëm u shpreh Islami.

“Ne garantojmë që nëse ka fluturim ai do të jetë i sigurt, më parë i bllokojmë fluturimet sesa të ketë fluturime që nuk janë të sigurta. Kështu që të dy duar dhe këmbët”, tha Islami.

Mirëpo, Gjonbalaj po ashtu siguroi se jep dorëheqje në rast se del ndonjë problem i sigurisë nga ekspertët e fushës.

“Jo vetëm në rast të aksdientit por nëse do të ketë raportim kredibil nga profesionistë të aviacionit që thonë të kundërtën që thashë unë, unë do të jap dorëheqje ende pa u publikuar raporti”, tha Gjonbalaj.

Në këtë emision u transmetua pjesa e dytë e hulumtimit për Aeroportin e Prishtinës, ndërsa emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e aeroportit nga kompania Limak.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: