Rrëfimet e policëve: Si kaloi sigurimi i Ibrahim Rugovës te Policia e Kosovës?

Në vitin 2005 teksa po shkonte në një takim të lartë zyrtar eskorta e atëkohë presidentit Ibrahim Rugova ishte sulmuar me eksploziv në qendër të Prishtinës.

Nga ai sulm ishte vendosur që eskorta, që në përbërje kishte kryesisht badigardë privatë, të zëvendësohej me punonjës të Policisë së Kosovës.

Dy nga njerëzit që ishin pjesë e ekipit të mbrojtjes së afërt kanë rrëfyer në një reportazh për vendimin dhe misionin që Policia e Kosovës ta garantonte sigurinë e Rugovës.

Njësia ‘Close Protection’ ishte krijuar në vitin 2003 me një staf të vogël dhe me trajnime të limituara në kuadër të ish-Policisë së UNMIK-ut.

Dy vite pas themelimit dhe kur kishin përmbushur disa detyra, Njësisë së re i ishte besuar një detyrë e vështirë. Pas disa tentim-atentatesh, ish-presidenti Ibrahim Rugova kishte vendosur që sigurinë e tij t’ia besojë Policisë e jo pjesëtarëve të sigurimit privat.

Kërkesa ishte dorëzuar në Njësinë e Mbrojtjes së Afërt dhe vendimi ishte marrë që për sigurinë e Ibrahim Rugovës do të kujdeseshin policët e kësaj Njësie.

Misioni nuk ishte i lehtë meqë presidenti kishte shumë armiq dhe sigurimi i tij ishte sfidë në vete.

“Me vetë faktin që kishte sulme të njëpasnjëshme dhe me vetë faktin që kërcënohej kohë pas kohe, me marrjen në përcjellje ne kemi filluar dhe të gjitha kërkesat që i ka pasur për vizita në qytetet e ndryshme, ne vende të ndryshme, kemi raste kur kemi dërguar në Gjilan kur ka hypë në kombajnë, normal ka dashur aktivitete të mëdha sigurimi informata nga njësitet e tjera por ka shkuar aty ku ka dashur” – tha Arsim Rashica, zëvendëskomandant i kësaj Njësie.

Rashica për emisionin “Drejtësia në Kosovë” ka shtuar së ish-presidenti Rugova ka fjetur rehat pasi është marrë në mbrojtje të Policisë.

“Po, besoj që po, sepse edhe rreth rezidencës kemi ofruar siguri 24 orë” – shtoi Rashica.

Një zyrtar tjetër policor i Mbrojtjes së Afërt tha se pasi që e kanë marrë në mbrojtje presidentin Rugova nuk ka pasur asnjë atak apo tentim ndaj presidentit Rugova.

I pyetur se çfarë njeriu ka qenë Rugova në raport me policët,  ai u përgjigj: “Ai ka qenë njeri i kompletuar, ka qenë njeri që na ka bo me punu me të edhe 24 orë edhe pa pare hiç vetëm të jemi afër tij, ka qenë kënaqësi e veçantë të jemi me presidentin Rugova” – tha ky zyrtar.

Emisionin për Njësinë e Mbrojtjes së Afërt mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

www.kallxo.com