Mbretëresha e Britanisë Uron Kosovën në 10 Vjet Shtet

Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II ka uruar kosovarët në 10 vjetorin e shtetësisë.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Mbretëresha i ka dërguar mesazh urimi Presidentit Hashim Thaçi, ku ka uruar popullin e Kosovës për një të ardhme më të mirë.

“Me kënaqësinë më të madhe i dërgoj Shkëlqesisë Suaj urimet e mia më të ngrohta në festën e Ditës suaj Kombëtare, bashkë me dëshirat më të mira për një të ardhme të mirë dhe të lumtur për popullin e Kosovës në vitin në vijim”, ka shkruar Mbretëresha, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.

Në dhjetë vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, qytetarët i ka uruar edhe Ambasadori britanik në Kosovë, RuairíO’Connell.

“Dëshiroj të uroj Kosovën në 10 vjetorin e Pavarësisë së saj. Jam krenar që kam ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt shtetësisë, Kosova mbanë një vend të veçantë në zemrën time. Por më e rëndësishmja, shteti im është, dhe do të mbetet, një mik i përkushtuar dhe i vërtetë i Kosovës. Duke festuar Ditën e Pavarësisë, ne kujtojmë që e ardhmja e Kosovës është në duart e qytetarëve të Kosovës. Presim edhe shumë vite tjera të miqësisë dhe bashkëpunimit”, ka thënë ajo.