Mbikëqyrësit e Mediave Paguhen Jashtëligjshëm

Komisioni i Pavarur për Media shpenzoi jashtëligjshëm vitin e kaluar 82 mijë e 400 euro për kompensim financiar të stafit civil dhe të komisionit të KPM-së prej gjashtë anëtarësh që emërohet nga Kuvendi i Kosovës. 

KPM-ja kishte përfituar këto mjete nga Ministria e Financave, bazuar në një marrëveshje mirëkuptimi të vitit 2010 për hartimin e “Strategjisë për kalimin nga transmetimi analog në atë digjital në Republikën e Kosovës”.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në draft-raportin për KPM-në, për vitin 2012, të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë, konstaton se mjetet për hartimin e kësaj strategjie ishin keqpërdorur nga ky institucion. 

Dokumenti ende nuk është publikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, pasi që sipas procedurës duhet të merren edhe komentet e institucionit të audituar.

ZAP-i nuk ka dashur të komentojë gjetjet që ende nuk janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni. 

Sipas,ZAP-it publikimi i gjetjeve të paraqitura në draft-raport nuk është në interes të publikut. 

“Ndërhyrja në procesin e finalizimit të auditimit dhe lëshimi i informatave që janë ende në diskutim, nuk mund të jenë në interes të publikut dhe se kjo qasje nuk është shumë produktive.” thuhet në përgjigjen e ZAP-it.

Gazeta ka kërkuar nga KPM-ja qasje në vendimin e këtij institucioni që transferon mjetet në vlerë prej 82 mijë eurosh në paga të zyrtarëve nga kategoria mallra e shërbime.

KPM-ja ka refuzuar qasjen në këtë vendim.

“Komisioni gjendet në pushim veror” tha zëdhënësja e KPM-së Fikrete Çoçaj.

Gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm konstatojnë se pagesat për Komisionin Drejtues dhe stafin civil janë kryer në mënyrë të parregullt, pasi që janë paguar nga kategoria ekonomike “Mallra e Shërbime”. 

Sipas draft-raportit për vitin 2012, ligji i buxhetit ndalon shpenzimin e parave publike për pagesën e punonjësve nga kjo kategori. 

“Këto pagesa janë ekzekutuar nga mallrat dhe shërbimet si shërbime kontraktuese. Për mendimin tonë pagesat për komisionerët[anëtarët e komisionit] dhe stafin civil janë pagesa të parregullta duke marrë parasysh mosrespektimin e kritereve ligjore si në vijim”, thuhet në draft-raportin e ZAP-it. 

KPM-ja gjatë vitit 2012 kishte paguar 18 mijë e 500 euro për anëtarët e komisionit të KPM-së  ndërsa 63 mijë e 900 euro për stafin civil të këtij institucioni. 

Vetëm tetë mijë euro, bazuar në gjetjet e auditimit, ishin paguar për ekspertët e jashtëm. 

“Angazhimi  i vetëm një numri të vogël të ekspertëve mund të rrezikojë hartimin e strategjisë në fjalë, në pajtueshmëri me kërkesat profesionale dhe teknike”, thuhet në draft-raport. 

Shkelja e marrëveshjes së mirëkuptimit 

Auditori i Përgjithshëm në këtë draft raport thotë se një marrëveshje e lidhur në vitin 2010 mes KPM-së e Ministrisë së Financave parashihte ndarjen e një shumë buxhetore për hartimin e strategjisë për digjitalizimin e transmetimeve. 

Bazuar në këtë marrëveshje gjatë 2012-ës ishte aprovuar kërkesa buxhetore që të ndahen mjete për KPM-në të cilat do të shfrytëzohen për pagesën e anëtarëve të grupeve punuese, të cilët nuk janë punëtorë të KPM-së. 

“Në këto grupe do të angazhohen përfaqësues nga shoqëria civile, akademia, asociacioni i mediave dhe gazetarëve, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të komisioneve përkatëse në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në draft-raport. 

Pagesat e kryera ndaj zyrtareve të këtij institucioni sipas auditorëve bien ndesh me nenin 80 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike.

“…nëse një shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik kërkohet që të shërbejë në një komision, ky punonjës shërbyes civil ose zyrtar, nuk ka të drejtë të pranojë kurrfarë kompensimi shtesë për këto shërbime”, citojnë auditorët Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. 

Sipas auditorëve, shërbimi i kryer nga stafi i KPM-së konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mbajnë punonjësit, për të cilin edhe përfitojnë pagën e rregullt.

“Ligji i buxhetit 2012 ndalon shpenzimin e parave publike nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, për pagesën e punonjësve, qoftë në formë të mëditjeve apo si kontribute”, thuhet në draft-raport.

Komisioni i Pavarur i Mediave nuk ka kthyer asnjë përgjigje lidhur me pyetjet rreth të gjeturave të auditorit.

Komisioni i KPM-së gjatë mbledhjës së mbajtur më 28 maj 2013

KPM-ja ka shpenzuar kundërligjshëm këtë fond edhe më 2010

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të njëjtën parregullsi në KPM e kishte raportuar edhe në raportin e auditorit për 2010. 

“KPM-ja ka arritur një memorandum me MEF-in sipas të cilit KPM-së i ndahen fonde në vlerë prej 188,344€. Prej tyre gjatë vitit 2010 janë shpenzuar 120,110€. Sipas memorandumit nga këto mjete do të paguhen anëtarët e grupeve punuese të cilët nuk janë punëtorë të KPM-së”, thuhet në raportin për KPM-në që i referohet vitit 2010. 

KPM-ja kishte dhënë argumentet e saj të cilat ishin përfshirë në raport. 

Sipas përgjigjes së KPM-së dhënë auditorëve, punëtorët e këtij institucioni mund të japin kontribut më të madh në hartimin e strategjisë për digjitalizimin e transmetimeve. 

“KPM-ja konsideron se këto fonde janë shpenzuar sipas Memorandumit të Mirëkuptimit. Neni 4 i këtij Memorandumi nuk specifikon se vetëm punëtorët e jashtëm duhet të paguhen, por plotëson memorandumin duke shtuar se edhe punëtorët e jashtëm duhet të paguhen nga këto mjete. KPM-ja e kishte interpretuar në këtë mënyrë”, thuhet në raportin për vitit 2010. 

Por, ZAP-i kishte këmbëngulur se Marrëveshja e Mirëkuptimit mes Ministrisë së Ekonomisë e Financave dhe KPM-së më 2010 parashihte qartë se nga këto mjete duhet të paguhen anëtarët e grupeve punuese të cilët nuk janë punëtorë të këtij institucioni. 

ZAP-i i kishte rekomanduar KPM-së që të kthente në buxhet paratë që janë paguar në mënyrë të parregullt.

Ky rekomandim nuk ishte zbatuar nga KPM-ja dhe ishte raportuar më 2012 nga ZAP-i, kur kishte publikuar raportin e auditimit që i referohet përiudhës janar-dhjetor 2011 të punës së KPM-së.

“KPM-ja nuk ka ndermarrë masa për kthim të mjeteve dhe thekson se rekomandimi nuk mund të adresohet, sepse vendimi është marrë nga Këshilli i KPM-së dhe është në kundërshtim me parimet njerëzore”, thuhet në raportin për vitin 2011.