Dhurata Hoxha. Foto: MD

Mbi 4 Mijë Euro Telefona për Kabinetin e Ministres Hoxha

Edhe Ministria e Drejtësisë u është bashkuar institucioneve të tjera shtetërore që buxhetin e shtetit e shfrytëzojnë për të blerë gjëra luksoze.

Kjo Ministri ka blerë telefona të mençur të markës “Samsung” për nevoja të kabinetit të ministres Dhurata Hoxha.

Për blerjen e telefonave kjo Ministri është dashur të sigurojë mjete shtesë pasi vlera e tyre sipas tregut po tejkalonte parashikimin e kontratës.

Për këtë tender kishte vetëm një ofertues.

Në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ  për Prokurim Publik (KRPP), Ministria e Drejtësisë më 1 dhjetor të vitit të kaluar ka publikuan njoftimin për nënshkrimin e kontratës në vlerë prej 4,128 euro për blerjen e telefonave të mençur për nevojat e saj.

I kontaktuar nga KALLXO.com, u.d. drejtori i prokurimit të Ministrisë së Drejtësisë, Sadri Emërllahu tha se janë blerë 6 telefona mobilë për kabinetin e ministres.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, del që Ministria pagoi 688 euro për një telefon.

Mjetet për blerjen e këtyre telefonave ishin nga buxheti i konsoliduar i Kosovës dhe fillimisht Ministria kishte parashikuar kontratë në vlerë 3,450 euro, por nënshkrimi i kontratës doli të jetë për 678 euro më shumë se planifikimi i saj.

Këtë rritje të vlerës së kontratës Emërllahu e arsyeton me çmimin e tregut. “Pas ofertës nga ajo kompani, çmimi real i tregut ka dalë më i lartë”, tha ai.

Emërllahu tregoi se për këtë tender ka qenë vetëm një ofertues dhe çmimin që e ka ofruar ai është çmim i tregut. Ai shtoi se nuk ka pasur oferta të tjera.

“Nuk ka pasur oferta të tjera se edhe me aq do të pranoheshin sipas parashikimit.

Për shkak se nuk kishte oferta të tjera, sipas Emërllahut është dashur të bëhet zotim shtesë i mjeteve nga vlera e parashikuar nga Ministria.

“Për shkak të nevojave të tyre, përveç atyre  mjeteve e kanë bërë edhe një zotim shtesë që janë shkresat krejt komplet qysh është procedu dhe është rritë për disa euro”, tha u.d. i drejtorit të prokurimit.

Sadri Emërllahu tha se telefonat e blerë janë të markës “Samsung”, por nuk dha detaje rreth specifikave të këtyre telefonave.

Ministria e Drejtësisë nuk është institiucioni i vetëm që shpenzon buxhetin e shtetit për gjëra luksoze.

Dhjetë ditë më parë, KALLXO.com raportoi se edhe Ministria e Integrimit Evropian bleu një telefon mobil në vlerë 850 euro.

http://kallxo.com/ministria-e-integrimit-evropian-blen-850-euro-telefon/

KALLXO.com raportoi edhe se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka nënshkruar kontratë që zëvendësministrit Gjergj Dedaj t’i blejë telefon “Samsung S6”, i cili buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 630 euro.

http://kallxo.com/ministria-i-blen-samsung-s6-gjergj-dedajt/

Buxheti për të blerë telefona është shfrytëzuar edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka shpenzuar mbi 4 mijë euro për 21 telefona mobilë, njëri nga të cilët “Iphone 6” me vlerë 830 euro.

http://kallxo.com/iphone-830-euro-per-zyren-e-avokatit-te-popullit/

Ndërsa, Komuna e Mitrovicës së Veriut shpenzoi 9,500 euro për blerjen e 15 “iPhone”-ve për stafin e saj.

http://kallxo.com/mitrovica-e-veriut-shpenzon-9500-euro-per-iphone/

Edhe Gjykata Themelore në Mitrovicë gjatë dhjetorit ka blerë një telefon në vlerë 995 euro.

Buxhetin e shtetit për të blerë pajisje luksoze teknologjike nuk e la pa e shfrytëzuar as Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale, i cili ka shpenzuar 1,865 euro për blerjen e dy “iPad”-ëve për dy zyrtarë.

http://kallxo.com/kpmm-blen-ipad-950-eurosh/

KALLXO.com ka raportuar edhe për raste të tjera të shpenzimit të buxhetit shtetëror për gjëra luksoze e dhurata.

Kështu, për riparimin e veturës luksoze “Range Rover” të kryetarit të Klinës, Sokol Bashotës, janë dhënë së paku 10,000 euro.

http://kallxo.com/10-mije-eurot-qe-rregulluan-range-rover-e-bashotes/

Ndërsa, në fund të vitit 2016, institucione të ndryshme kanë shpenzuar para të buxhetit për të blerë dhurata për fëmijë.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka ndarë 7,000 euro për dhurata për fëmijë. AKI nuk ka treguar se sa fëmijëve do t’u bliheshin dhuratat dhe të kujt ishin ata.

http://kallxo.com/aki-blen-dhurata-per-femije/

Kurse, Komuna e Mitrovicës së Veriore për dhuratat për Vitin e Ri ka shpenzuar 3,360 euro.

Për dhurata buxhetin e shtetit e kanë shfrytëzuar edhe Ujësjellësi Rajonal i Mitrovicës dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Radoniqi”.

Ndërsa, Komuna e Klinës ka blerë orë dore në vlerë 1,000 euro për punëtorët e pensionuar të arsimit.

http://kallxo.com/komuna-e-klines-harxhon-1-mije-euro-per-ore-dore/

Viti që Trashi Luksin e Zyrtarëve me Paratë e Buxhetit