Policia e Shqipërisë - Foto: Facebook

Mbi 1,000 Aksidente në 7 Muaj

Numri i aksidenteve rrugore si 7-mujor ka rënë me 1.3%, raporton Instituti i Statistikave në Shqipëri, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por, në muajin e fundit, korrikun e 2017-s, aksidentet kanë një rritje me 7.6% krahasuar me korrikun e vitit që shkoi.

Gjithsesi, numri i të aksidentuarve për këtë muaj është me rënie. Me ulje 4% me bazë vjetore janë edhe shifrat e të aksidentuarve për shtatëmujorin e 2017-s, duke shënuar edhe 30 të vdekur më pak.

Në shtatëmujorin e këtij viti, aksidentet rrugore, që kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, zënë mbi 80 të rasteve.

Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grupmosha 25-35 vjeç, duke zënë 28% të totalit.

Në fakt, kjo ka qenë edhe grupmosha që është prekur më shumë nga ashpërsimi i gjobave të Kodit Rrugor dhe nga aksionet e Policisë Rrugore kundër shkeljeve që lidhen me përdorimin e alkoolit dhe tejkalimin e shpejtësisë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i aksidenteve për këtë grupmoshë është ulur me 5.5%. /21Media