Analiza e teksteve shkollore | Foto: KALLXO.com

Mbi 100 Formulime me Gjuhë Diskriminuese në Tekstet Shkollore

Sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë, në Kosovë të realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të biologjisë, edukatës qytetare, historisë, psikologjisë dhe sociologjisë të klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta.

Parametrat në bazë të të cilëve janë analizuar këto tekste shkollore janë gjinia dhe seksualiteti, kombi, etnia dhe raca, të drejtat e njeriut, trupi dhe aftësia, diversiteti dhe barazia shoqërore.

Gjatë kësaj analize është konstatuar se në tekstet shkollore ka njëanshmëri etnike, mospërfshirje etnike, përdorim të gabuar të nocionit “komb”, stigmatizim të formave të ndryshme të familjes, përkufizim të orientimeve seksuale dhe identiteteve gjinore si devijime, portretizim ofendues mbi bazën e aftësive të kufizuara etj.

Shyqiri Bytyqi, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se janë të vetëdijshëm që janë një numër i madh i librave që përmbajnë fjalë e fjali diskriminuese, e që kanë nevojë për përmirësim.

“Kemi kurrikulë të re, e jo tekste shkollore të reja. Nuk kemi risi në tekste që do të përcillnin kurrikulën. Në momentin që do të jemi të gatshëm, shpresoj vitin e ardhshëm, librat mos t’i kenë këto gabime”, ka potencuar Bytyqi.

Një nga 100 formulimet që përçojnë paragjykim dhe stereotip gjinor në tekstin e psikologjisë së klasës së 11-të sipas kësaj analize është “… të dy trurët janë të lidhur në mënyrë të ndryshme: truri i mashkullit për të bërë dhe ai i femrës për të folur”.

Ose një tjetër sa i përket orientimit seksual dhe identitetit gjinor të cilat paraqiten si devijime.

“Çrregullimet, sjellja kriminale dhe homoseksualiteti i atribuohen filmave dhe librave erotikë”, thuhet në analizën mbi tekstet shkollore.

Sipas kësaj analize, tekstet shkollore nuk janë të liruara as nga gjuha diskriminuese dhe denigruese mbi bazën e aftësisë.

Në katër tekste të ndryshme të biologjisë për klasat 10-12 personat me sindromin down përkufizohen me termin “idiotë mongoloidë”.

Vjollca Krasniqi, sociologe nga Universiteti i Prishtinës ka thënë se ky hulumtim është një ndër të parët që e vendosin pyetjen se a implementohen të drejtat e njeriut brenda teksteve shkollore.

“Ky hulumtim dokumenton aspektet në të cilat ka probleme nëpër këto tekste shkollore. Tekstet shkollore vuajnë nga njëanshmëria, përjashtimi etnik, e nganjëherë gjuha e urrejtjes. Stigmatizohen familjet e varfra, e varfëria shikohet si sëmundje, ka ofendime ndaj personave me nevoja të veçanta”, ka theksuar Krasniqi.

Java për të Drejtat e Njeriut ka filluar me 4 dhjetor dhe vazhdon deri më 10 dhjetor.

Përgjatë këtyre ditëve YIHR-ja organizon panele diskutuese me temën “Qasja në Edukim”, shfaqjen e dokumentarit “Sistem i (keq)Edukimit dhe Diskutim Joformal” e po ashtu edhe shkollën alternative.