Kompleksi Memorial në Reçak - Foto: Atdhe Mulla

Mbahet Akademi Përkujtimore në Përvjetorin e Masakrës së Reçakut

Në përvjetorin e Masakrës së Reçakut sot do të mbahet akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Akademia, e cila nis në ora 11:00, mbahet nën patronatin e presidentit Hashim Thaçi, i cili do të bëjë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.

Më 15 janar 1999, në këtë fshat të Shtimes, forcat serbe kryen një masakër të llahtarshme kundër popullatës civile, gjatë të cilës nuk u kursyen të moshuar, gra e fëmijë.

45 banorë të fshatit u vranë 19 vjet më parë.

Masakra e Reçakut ishte vetëm një prej shumë të tjerave që po kryheshin gjithandej në Kosovë nga forcat serbe.

Mirëpo, kjo masakër alarmoi komunitetin ndërkombëtar, duke vënë në lëvizje edhe forcën më të madhe ushtarake në botë – NATO-n, e cila rreth dy muaj më vonë nisi bombardimet kundër forcave serbe në Kosovë e në gjithë atë që quhej Jugosllavi.

Në Kodrën e Plagëve të Reçakut

Kjo fushatë e bombardimeve nga ajri dhe lufta e UÇK-së nga toka rezultuan me tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe përfundimin e luftës në qershor të vitit 1999.