Policia e Kosoves
Maxhuni, Nënshkruan Marrëveshje me OLAF
Policia e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje administrative me zyrën evropiane kundër mashtrimeve(OLAF).
Marrëveshja e nënshkruar nga drejtori Shpend Maxhuni dhe drejtori i OLAF, Giovanni Kessler synon ngritjen e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.
OLAF heton mashtrimet kundër buxhetit të BE-së, korrupsion dhe shkeljet e rënda në kuadër të institucioneve evropiane. Kjo organizatë në misionin e saj ka edhe zhvillimin e politikave anti-mashtrim për Komisionin Evropian.
Pjesë e takimeve të stome të drejtorit Maxhunit ishte edhe ai me përfaqësuesin special të INTERPOL-it në BE, Pierre St Hilaire.
Në këtë takim sipas njoftimit të policisë, Maxhuni ka diskutuar për nevojën dhe kërkesën e Policisë së Kosovës për të qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë.
Policia e Kosovës vazhdon të mbetet jashtë shumë mekanizmave ndërkombëtarë e rajonal të bashkëpunimit policor.
Në mungesë të anëtarësimi në Interpol komunikimi me këtë organizatë zhvillohet nëpërmjet UNMIK-ut, ndërsa ende nuk ka një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Europol-in. Komunikimi me këtë organizatë kryhet nëpërmjet EULEX.