Dyshime për kurdisje të tenderëve për ekskursionet - Foto: KALLXO.com

Maturantët e Fushë-Kosovës Paguan 25 Euro më Shtrenjtë për Ekskursion

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë” transmetoi të gjeturat e një hulumtimi për dyshimet rreth një skeme të organizuar të korrupsionit në organizimin e ekskursioneve të maturantëve.

Siç tregon hulumtimi, maturantët paguan çmime më të shtrenjta për qëndrimin e tyre në Shqipëri edhe pse çmimet në hotelet e Durrësit mbetën të njëjta – 11 euro për qëndrimin njëditor.

Maturantët e Fushë-Kosovës paguan 25 euro më shtrenjtë edhe pse patën mundësi të zgjedhin kompani që ofertuan më çmime më të lira.

Amir Pllana drejtor në shkollës së mesme “Hivzi Sylejmani” në Fushë-Kosovë thotë se çmimet ishin përafërsisht të njëjta.

“Ne kemi udhëtuar me kompaninë “Shpejtimi”. Akomodimi ka qenë për pesë ditë me pesë bujtje të plota dhe ditën e gjashtë ka qenë kthimi dhe jemi akomoduar në kompleksin “Bonita” dhe çmimet përafërsisht kanë qenë të njëjta por është çështje e akomodimit dhe sistemimit të nxënësve”, theksoi Pllana.

Nëpërmjet një përgjigje elektronike  me shkrim komuna e Fushë-Kosovës ka thënë së këshilli i shkollës ka vendosur për kompaninë.

“Ka pasur disa oferta me çmimet prej 75 euro deri në 107 euro dhe unanimisht këshilli i shkollës ka vendosur për kompaninë “Shpejtimi” dhe nuk është prioritet çmimi më i ulët po çmimi më i arsyeshëm”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Fushë-Kosovës.

Maturantët kanë paguar nga 100 euro edhe pse kanë pasur mundësi të zgjedhin shumën prej 75 eurosh por siç tha Donika Hoti, maturante e gjimnazit “Hivzi Sylejmani”, ata fare nuk kishin qenë në dijeni për ofertat e tjera.

Astrit Ismaili, pronari i këtij kompleksi turistik në Durrës, thotë së çmimi për një nxënës në hotelin e tij është fiks 11 euro për një ditë qëndrimi pa marrë parasysh sa ata paguajnë në Kosovë.

“Çmimi për një ditë qëndrimi është 11 euro. Ky çmim është jo vetëm këtë vit po qe disa vite”, thekson Ismaili.

Pronarët e kompanive turistike dallimet në çmime për shërbimet e njëjta e shohin çështje biznesi e konkurrence.

Të dhënat e Ministrisë së Arsimit në Kosovë tregojnë se brenda vitit 26-27 mijë maturantë përfundojnë shkollën e mesme.

Një përllogaritje e thjeshtë tregon se për këto ekskursione shpenzohen rreth 2.7 milionë euro, para këto të cilat paguhen nga xhepi i prindërve.