Objekti i Ministrisë së Arsimit

MAShT: Testi u Administrua Mirë

Ministria e Arsimit pjesën e parë të afatit të dytë të testit të maturës e ka vlerësuar të organizuar dhe të administruar mjaft mirë.

Në një komunikatë të lëshuar nga MAShT-i Komisioni Shtetëror i Maturës konstaton se gjithçka ka shkuar si ishte parashikuar.

“Sipas raporteve të marra nga qendrat ku është organizuar testimi në gjithë vendin, komisioni ka konstatuar se testet janë shpërndarë me kohë, nuk ka pasur mungesa të testeve në asnjë qendër testimi, administratorët dhe kryetarët e qendrave të testimit kanë arritur me kohë në çdo qendër dhe i tërë procesi ka përfunduar në kohën e paraparë,” thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet se këtë radhë kopjimi me anë të rrjeteve sociale ka qenë minimal.

“KShM thekson edhe faktin se kësaj radhe tentimet për përdorimin e rrjeteve sociale për kopjim kanë qenë minimale dhe ato janë identifikuar dhe raportuar nga qendrat e testimit,” shpjegon komunikata.

KALLXO.com që e monitoroi edhe këtë radhë testin e maturës vërejti përpjekje për kopjim nëpërmjet Facebook-ut.

http://kallxo.com/testi-matures-rrjedh-ne-facebook/

Komisioni Shtetëror i Maturës më tutje në komunikatë falënderoi organizatorët në terren të testit dhe nxënësit që iu nënshtruan testit.

“KShM falënderon të gjithë nxënësit, administruesit, monitoruesit, komisionarët dhe kryetarët e qendrave të testimit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë, që kanë ndihmuar në mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm,” thuhet në komunikatë.

Aty falënderohen edhe mediet që sipas MAShT-it ”vit pas viti kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke i qëndruar afër këtij procesi, gjë që ka ndihmuar në mbarëvajtjen e maturës”.

Provimit të maturës në afatin e dytë iu nënshtruan 8 mijë e 500 nxënës, ndërsa testimi u mbajt në 86 qendra. Testi u monitorua nga 600 administratorë, ndërsa për sigurinë e objekteve u kujdes policia.