Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi - Foto: Facebook

MASHT Përcakton Revistat Shkencore për Avancime Akademike

Ministria e Arsimit, Shkencë dhe e Teknologjisë ka nxjerrë një udhëzim administrativ prej të cilit po pritet ndalimi i avancimeve të pa merituara apo të dyshimta në universitetet e vendit.

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi në një intervistë për KALLXO.com tregoi përmbajtjen e udhëzimit administrativ që sipas tij përcakton revistat apo platformat të cilat konsiderohen të pranueshme për publikim të punimeve shkencore, që janë të domosdoshme për avancimin e stafit akademik.

“Janë nxjerrë disa platforma që janë të njohura dhe që nuk dyshohet që mund të ketë revista pa impakt, pra i kemi kategorizuar në disa grupe pa dashur fare të ja prekim pavarësinë asnjë universiteti”, tha Bytyqi.

Ministri tha se duke ndjekur rekomandimet e ekspertëve dhe Shoqërisë Civile kanë ardhur në përfundim që revistat shkencore të ndahen në tre kategori.

Kategoria e parë sipas ministrit përfshinë platformat apo revistat e njohura të përcaktuara nga MASHT dhe në kategorinë e dytë revista të cilat mund ti zgjedhë Senati i universitetit, ku një publikim llogaritet 70 përqind e një punimi shkencor.

“I është lënë edhe fakulteteve dhe programeve që gjithashtu nuk konsiderohen punime të plota dhe revistat duhet të jenë jashtë shteteve të rajonit që duhet të kalojnë në senat dhe numërohen 55 përqind e një punimi”, tha Bytyqi.

Sipas ministrit me këtë udhëzim mbyllen rrugët për publikime të dyshimte dhe avancime të parregullta.

“Konsiderojmë që me këtë formë është bërë një pengesë e keçpërdorimeve që kanë ekzistuar deri më tani. Tash e tutje më nuk do të ketë mundësi të publikohet në revista të dyshimta sepse ka kaluar nga përgjegjësia individuale në institucionale”, tha Bytyqi.

Sipas një raporti të të bërë nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në hulumtimin e CV-ve të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, 72 % e tyre nuk do t’i fitonin titujt aktualë nëse do t’i nënshtroheshin procesit të avancimeve sot.

Bytyqi në këtë intervistë foli edhe lidhur me çështjet e arsimit parauniversitar , ndërsa pjesë të kësaj interviste do të publikohen ditëve në vazhdim.