Objekti i Ministrisë së Arsimit

MASHT: Ministri do të Angazhohet për Punonjësit e Viteve ‘90

Ministria e Arsimit në një komunikatë sqaroi se projektligji për kompensimin e ish-punonjësve të sistemit arsimor në vitet 1990-1999 i ka shkuar Ministrisë së Financave.

“Pas deklaratave të kryetarit të  SBASHK-ut , z. Rrahman Jashari dhe keqkuptimeve  e keqinterpretimeve të fjalës së ministrit Bajrami, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sqaron se ky projektligj vitin e kaluar me angazhimin e ministrit Bajrami është  hartuar dhe dërguar në Ministrinë e Financave për vlerësim të kostos financiare,” thuhet në reagimin e MASHT-it.

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës Rrahman Jasharaj, deklaratën e ministrit Bajrami në Kuvendin e Kosovës për mësimdhënësit e viteve ’90 e cilësoi sot të pamatur.

Bajrami tha të enjten se punonjësit e arsimit të asaj kohe nuk kishin rrugë tjetër, puna e tyre ishte pjesë e rezistencës kombëtare dhe ata nuk duhet të kërkojnë shpërblime e dekorata.

http://kallxo.com/bajrami-mesimdhenesit-e-viteve-90-te-mos-kerkojne-dekorata/

MASHT-i në reagimin e sotëm u zotua se ministri Bajrami do të angazhohet për çuarjen përpara të projektligjit për kompensim.

“MASHT siguron mësimdhënësit se prapa këtij Projektligji mbetet si sponzorizues deri ne Kuvendin e Kosovës dhe të jeni të sigurt se Ministri Bajrami, së bashku me akterë të tjerë institucionalë do të angazhohet parreshtur, deri në gjetjen e një zgjidhjeje në interesin më të mirë të mësimdhënësve që përfshin ky projektligj,” sqaron ministria.

SBASHK-u përveç cilësimit të sotëm të deklaratës së ministrit Bajrami si të pamatur, është duke kërkuar rritje për 0.5 për qind të pagës për çdo vit shërbimi të mësimdhënësve, pagesë të 70 për qind të biletës për mësimdhënësit që udhëtojnë dhe dhënien e tri pagave kur mësimdhënësit pensionohen.

Në reagimin e saj Ministria e Arsimit bën të ditur se ka realizuar dida kërkesa sindikale.

“MASHT vlerëson se sikurse janë realizuar vetëm vitin e kaluar disa kërkesa sindikale nga Ministria dhe Qeveria e Kosovës: pagesa dhe njohja e përvojës se  punës (1990/99),  kontrata e përhershme e mësimdhënësve, akoma me shumë do te angazhohet në përmirësimin e gjendjes se mësimdhënësve tanë duke investuar ne nevojat e tyre dhe duke ruajtur e respektuar dinjitetin dhe punën e secilit mësimdhënës ,kontribuues të organizimit, të mbajtjes së arsimit në vitet e vështira të rezistencës gjithpopullore,” thuhet në komunikatë.