Ilustrim

MASHT Cakton Datat e Testit të Maturës në Regjionet e Kosovës

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në një tryezë diskutimi ka njoftuar se testi i maturës këtë vit nuk do të mbahet në të njëjtën ditë në të gjithë vendin por do të realizohet në katër regjione të vendit në data të ndryshme.

Regjioni i Ferizajit dhe Gjilanit do të mbajë testin në ditën e parë. Pjesa e parë do të mbahet më 28 maj ndërsa pjesa e dytë me 5 qershor.

Ditën e dytë do ta mbajë Prishtina, pjesën e parë më 29 maj dhe pjesën e dytë më 6 qershor.

Ditën e tretë testin e maturës do ta mbajnë regjioni i Prizrenit dhe Gjakovës, pjesën e parë me 30 maj , ndërsa pjesën e dytë me 5 qershor.

Ndërsa në ditën e katërt regjioni i Mitrovicës dhe Pejës, pjesën e parë so ta mbajnë më 31 maj ndërsa  pjesën e dytë më 8 qershor.

MASHT ka bërë të ditur se asnjë pyetje nga matura shtetërore nuk do të jetë e njëjtë për asnjërin nga regjionet.

Në këtë tryezë diskutimi, Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi tha se drejtoritë komunale të arsimit kanë një rol kyç në maturën shtetërore dhe ka kërkuar nga ta që të angazhohen në mënyrë që testi të mbahet në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Kërkoj nga të gjithë të bëjmë gara që të kemi rezultate sa më reale, dhe jo të bëjmë gara se cila shkollë ose komunë të del e para me rezultate jo reale. Shpresoj që kjo të jetë motoja e Testit të Maturës për këtë vit, pra garë që të kemi rezultate reale”, u shpreh Bytyqi.

MASHT poashtu ka njoftuar se dizajnimi i testit të maturës për këtë vit do të ketë ndryshime.

Nga 200 pyetje nga të dy pjesët, pragu i kalueshmërisë është 40% , pra në të dy pjesët duhet të plotësohen minimum 80 pyetje, për të arritur pragun e kalueshmërisë.

MASHT u ka bërë thirrje te prindërit dhe mësimdhënësit që të kenë kujdes me telefonat e nxënësve pasi që nuk do të lejohen në asnjë mënyrë të kenë telefon me vete në testin e maturës shtetërore.