Protesta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave - Foto: KALLXO.com

Marsh Protestues Kundër Dhunës ndaj Grave

“Pagë e barabartë për punë të barabartë për të gjithë”, “Pushim prindëror për të gjithë”, “Respekto të drejtat riprodhuese të grave”.

Këto ishin disa nga mbishkrimet në pankartat e fushatës e vetëdijesimit “One Billion Rising” si protestë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Me këto pankarta anëtare të shoqatave që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e grave dhe vajzave marshuan nga Teatri Kombëtar deri te Ministria e Kulturës, para së cilës u bë edhe vallëzimi tradicional OBR-it.

Jeta Berisha, koordinatore në qendrën për art dhe komunitet “Artpolis”, ka folur për këtë fushatë vetëdijesimi, e cila mbahet në muajin shkurt të çdo viti.

“Çdo shkurt në ngritemi në qindra vende të botës, për t’u treguar komuniteteve tona lokale dhe botës se si dukemi “Një miliard gra dhe vajza” si dhe për të hedhur dritë mbi mosndëshkimet dhe padrejtësitë me të cilat të mbijetuarat çdo ditë përballen”, u shpreh Berisha.

Ajo tha se gratë dhe vajzat ngrihen në këtë fushatë që të tregojnë se janë të vendosura për të krijuar një lloj të ri të vetëdijes, aty ku dhuna do të rezistohet deri sa të jetë e paparamendueshme.

Kjo fushatë organizohet çdo 14 shkurt në të gjithë botën si protestë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Sipas statistikave, një në tri gra në planet dhunohet apo rrihet gjatë jetës së tyre, pra një miliard gra dhe vajza.