Marshi për Zejnepe Berishën. Foto: Atdhe Mulla

Marsh në Kërkim të Dënimit më të Lartë për Vrasësin e Zejnepe Berishës

Zejnepe Berisha vdiq më 23 tetor 2015 si pasojë e plagëve të marra nga burri i saj Nebihu, ndërsa gjykata e dënoi këtë të fundit me 12 vjet e gjashtë muaj burg.

Motra e Zejnepe Berishës, Hajrije Thaçi, që kishte ardhur në këtë tubim protestues, tha se nuk kanë pritur se do merrte këtë dënim, ndërsa përmendi se ka qenë e ftuar nga gjykata si dëshmitare dhe nuk është intervistuar asnjëherë.

“E ka meritu dënimin më të madh, nuk e kemi pritë një dënim kaq të vogël. Më ka ardh ftesa për në prokurori si dëshmitare, asnjëherë prokurori nuk më ka pyet, as burrin, as mua. Nuk e pranojmë këtë vendim sepse ka bërë krim të madh. Gjithmonë ka qenë në stres. 16 vjet ka jetu me të, 16 vjet ka jetu në stres prej tij”, tha Thaçi.

Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grupit të Grave në Kosovë, tha se e kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren duke e quajtur vendimin të padrejtë.

Foto: Atdhe Mulla

“E kundërshtojmë vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren. Mendojmë që kjo nuk është drejtësi, nuk është bërë ajo që duhej të bëhej. Me kod penal, veprat e tilla dënohen edhe me burg të përjetshëm. Prokuroria e shtetit ta ankimojë vendimin”, tha Berisha.

Marshit të sotëm për Zejnepe Berishën iu bashkëngjitën qytetarë e aktivistë të organizatave të shoqërisë civile.

Nebih Berisha akuzohet se në mbrëmjen e 23 tetorit 2015 në shtëpinë e tij familjare me dashje privoi nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berishën dhe i shkaktoi lëndime trupore vajzës së tij.

http://kallxo.com/psikiatri-i-akuzuari-eshte-i-afte-ta-percjelle-seancen-gjyqesore/

Vrasja e Zejnepe Berishës kishte nxitur reagime të shumta nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe komuniteti në Suharekë.

http://kallxo.com/espertize-neuropsikiatrike-per-vrasesin-e-zejnepe-berishes/

http://kallxo.com/12-vjet-burg-per-vrasjen-e-zejnepe-berishes/