Marsh dhe Deklaratë për të Drejtat e Njeriut në Kosovë

Avokati i Popullit së bashku me organizatat e shoqërisë civile të Kosovës do ta shënojnë nesër 10 Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut me një varg akivitetesh në Prishtinë.

Kjo iniciativë njëkohësisht shënon të parën herë në të cilën Avokati i Popullit dhe Organizatat Joqeveritare në bashkëpunim nënshkruajnë një Deklaratë të Përbashkët, me të cilën u bëhet thirrje të gjithë akterëve të pushtetit shtetëror për angazhim të shtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.

Iniciativa ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhim të shtuar gjithpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit efektiv për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Kosovë, thuhet në një njoftim të Avokatit të Popullit.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, do të organizohet një marsh me moton “Çohu për të drejtat e njeriut” në sheshin kryesor të Prishtinës.

Aktivitetet fillojnë në orën 10:30 me një fotografi të përbashkët të pjesëmarrësve para Teatrit Kombëtar.

Më pas, në orën 11:00, përfaqësuesja e shoqërisë civile, Igballe Rogova, do ta mbajë një fjalë rasti ndërsa Avokati i Popullit Hilmi Jashari do ta lexojë Deklaratën e Përbashkët për t’i lënë vend më pas marshit nga sheshi para Teatrit deri te sheshi “Zahir Pajaziti” ku Avokati i Popullit dhe përfaqësuesja e shoqërisë civile, Luljeta Demolli do të bëjnë nga një prononcim për media.