Nënshkrimi i marrëveshjes për pagesat e sigurimeve shëndetësore përmes Postës së Kosovës - Foto: Facebook

Marrëveshje që Lehtëson Pagesat për Sigurimet Shëndetësore

Pagesat për sigurime shëndetësore për një kategori të qytetarëve do të paguhen edhe përmes Postës së Kosovës.

Për këtë çështje sot nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë (AFSh), dhe Posta e Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga u.d. i kryeshefit të AFSh-së, Arsim Qavdarbasha dhe kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha.

Sipas tyre, kjo marrëveshje është bërë me qëllim që të lehtësojë kryerjen e pagesave për sigurimet shëndetësore për kategori të caktuara të qytetarëve ashtu siç parashihet me Ligjin për Sigurime Shëndetësore.

Arsim Qavdarbasha tregoi se çka do të ndodhë pas kësaj marrëveshjeje.

“Në një periudhë afatmesme të vendoset një bashkëpunim stabil dhe t’u ofrojmë qytetarëve të kategorive të veçanta qasje të lehtë, të shpejtë dhe sa më të lirë në realizimin e të drejtës dhe obligimit ligjor që e kanë për pagesën për sigurimin shëndetësor“, tha ai.

Kjo marrëveshje vlen për qytetarët e vetëpunësuar, të cilët do t’i paguajnë sigurimet e tyre përmes Postës.

Ndërsa, Sejdi Hoxha shpjegoi përparësitë e qytetarëve me këtë marrëveshje.

“Unë mendoj që marrëveshja me Postën e Kosovës ka shumë avantazhe sepse do t’u mundësojë qytetarëve pagesat më të lira në vend, çmimin më të ulët për transaksion. Në marrëveshje është përfshirë që edhe në emër të familjes për pesë anëtarë pagesat të kryhen me një transaksion”, tha ai.

Hoxha tha se kjo do të bëhet duke ofruar punë me orar të zgjatur si dhe gjatë vikendit në pikat ku punohet.

Palët nënshkruese të marrëveshjes janë pajtuar që komisioni për çdo transaksion të pagesës sipas faturës në vlerë deri në 10 euro të paguhet 0.5 euro, ndërsa mbi 10 euro, pagesa është 1 euro dhe këtë provizion e paguan pala.

Sipas tyre, lehtësimi është se nëse një anëtar i familjes paguan për veti dhe katër anëtarë të tjerë premiumin, nuk ka nevojë të paguaje 5 herë provizion, por me vlerën prej 0.5 euro është mbuluar pagesa për të pesë anëtarët e familjes.