Burgu i Idrizovës - Foto: Rtv21

Maqedonia Amniston Mijëra të Burgosur

Mbi 3 mijë e 500 të burgosur mund të lirohen pasi t’i fal shteti me ligjin e ri për amnisti.

Faljen e një pjese të burgut nuk do ta gëzojnë të dënuarit me burg të përjetshëm, ata të dënuar për pedofili dhe as ata për shkeljet gjatë zgjedhjeve.

Televizioni 21 ka pasur qasje në këtë projekt-ligj, dhe sjellim këto detaje për opinionin.

Shumë dyer të qelive në burgun e Idrizovës mund të hapen dhe nga aty të lirohen njerëzit nga dënimi, me një propozim-ligj.

TV21 mëson se propozimi ligji për amnisti pritet të “gëzojë” afro 3,500 persona nga vuajtja e dënimit me burg. TV21 ka parë draftin e parë të propozim-ligjit i cili iu paraqit të mërkurën për shqyrtim deputetëve në Kuvend.

Sipas dokumentit, ligji ka 7 nene, ndërsa në Nenin 2 thuhet se personat e dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm, me 6 muaj burg, lirohen menjëherë nga burgu, në ditën kur hyn në fuqi ky ligj.

Të dhënat paraprake, flasin se aktualisht mund të jenë 670 të burgosur, që vuajnë burg me më pak se 6 muaj heqje lirie.

Neni 2 i draft-ligjit që ju dha sot deputetëve, sqaron se personave që janë dënuar me më shumë se 6 muaj burg, do të lirohen nga “30% e dënimit të plotë”.

Tutje ky nen shtjellon edhe çështjen e personave që kanë dënim unik me burg, ku edhe ata gëzojnë 30 % reduktim të burgimit, por ata lirohen vetëm “në pjesën e dënimeve të veçanta” të përcaktuara paraprakisht me këtë ligj.

Amnistia, sipas propozim-ligjit, nuk përfshin personat e dënuar me vendim të plotfuqishëm me: burg të përjetshëm, për vrasjet, shkeljet zgjedhore, pedofili (lirisë gjinore dhe moralit gjinor), kundër shtetit.

Drafti në të cilin ka pasur qasje TV21 thotë po ashtu se kjo amnisti nuk ka të bëjë me personat të cilët veprat ose lëndë të amnistisë, i kanë kryer “pas 20 shtatorit 2017”.

Në këtë kategori, të dhënat paraprake parashohin se afro 3,000 persona mund të gëzojnë të drejtën e amnistisë sipas draft-ligjit që ka parë TV21.

Sipas propozim ligjit, të dënuarve me 1 vit burg, do t’u falen 3 muaj e 6 ditë nga dënimi; për dënimet deri në 5 vjet do të falen 18 muaj, për dënimet deri në 10 vjet do të falen 36 muaj nga vuajtja e dënimit. /21Media