Ilustrim

Maqedoni, Reformat Garantojnë Pavarësimin e Mediave nga Ndikimet

Punonjësit në media thonë se ligji që rregullon punën e mediave në Maqedoni, në masë të madhe ka përfshirë kërkesat e gazetarëve, porse akoma ka nevojë për intervenim, veçanërisht në pjesën që rregullon çështjen e reklamave, rritjen e mjeteve për servisin publik, si dhe gjetjen e mekanizmave që ligji të jetë i zbatueshëm.

Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se ndryshimet ligjore që rregullojnë punën e mediave e që tashmë kanë hyrë në procedura parlamentare, ofrojnë bazament të mirë për çlirimin e eterit mediatik nga influenca politike.

“Nuk duhet të presim që menjëherë të kemi një sistem ideal mediatik, por gjithsesi do të kemi përmirësim të dukshëm të mediave, lirisë së shprehjes, lirisë së gazetarëve – ajo që është më e rëndësishme për të raportuar rreth informacioneve që i kanë, e të cilat janë detyruar t’i fshehin për shkak të interesave të ndryshme komerciale, përkatësisht raporteve klienteliste që kanë pasur për një kohë të gjatë mediat me strukturat udhëheqëse politike”, thotë Tahiri.

Ndërkohë, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, thekson se qëllimi i propozim-ligjit për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale, është që të krijojë mekanizma funksionalë për t’i larguar një herë e përgjithmonë duart e politikanëve nga mediat, njëherësh ligji të paraqesë bazë nisëse për reformat e shumta që pritet të realizohen në lidhje me këtë.

Mançevski vlerëson se zgjedhja e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediale, Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), si dhe anëtarët e Këshillit programor të servisit publik në Maqedoni, për të cilin propozohet të realizohet me shumicë të dy të tretës në Kuvend, paraqet një test për nivelin e demokratizimit të Maqedonisë si shtet.

“Zgjedhja e anëtarëve të rinj të trupave rregullatorë dhe të Këshillit programor të TVM-së, është test për partitë politike dhe për demokracinë. Dëshirojmë ta japim këtë test dhe opinioni do të na vlerësojë në këtë proces, i cili duhet të jetë publik dhe transparent”, thekson Mançevski.

Ai shton se propozim-ligji për Shërbime Mediale dhe Audiovizuale paraqet fillimin e proceseve reformuese në eterin mediatik.

Ndërsa, Zhaneta Trajoska nga Instituti i Medieve thotë se miratimi i ligjit paraqet vetëm një hap drejt zbarkimit të servisit publik nga influenca politike, ndërkohë që në këtë institucion do të duhet të realizohen reforma të thella programore për të qenë servisi publik një pikë referimi për të gjitha mediet tjera, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet me demokraci të zhvilluar.

“Do të duhet të realizohet një proces i thellë i reformave, jo vetëm në aspektin financiar, atë administrativ, por gjithsesi dhe programor që më në fund në Maqedoni të kemi një servis të mirëfilltë publik”, thotë Trakoska.

Nga Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni kanë kërkuar që të intervenohet, përkatësisht të precizohet Ligji në pjesën që rregullon çështjen e të ardhurave nga reklamave që të parandalohet çfarëdo lloj mundësie që në të ardhmen Qeveria ta prishë tregun me reklamat.

Në lidhje me këtë, Tahiri thotë se pikërisht përmes mjeteve nga reklamat, politika ka ushtruar influencën e saj politike për një kohë, gjatë qeverisjes së kaluar VMRO DPMNE dhe Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndryshe, gjatë javës që lamë pas në komisionin amë të Kuvendit të Maqedonisë u bënë vërejtjet përfundimtare nga ana e përfaqësuesve në sferën e medieve për propozim-ligjin për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale në vigjilje të debatit që është caktuar për javën e ardhshme në seancën parlamentare. (REL)