Komuna e Shtimes - Foto: KALLXO.com

MAPL: Çmimi 'Nderi i Qytetit’ i Shtimes në Përputhje me Ligjin

Çmimi “Nderi i Qytetit”, për të cilin pati polemika mes partisë opozitare Nisma për Kosovën dhe partisë qeverisëse në Shtime, PDK, sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nuk është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Sipas vendimit të MAPL-së, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, çmimi nuk është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe si i tillë nuk mund të prodhojë efekte juridike.

KALLXO.com disa ditë më parë publikoi shkrimin për polemikat mes kryetarit të degës së NISMA-s në Shtime, Fehmi Hysenaj dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal në Shtime, Rrahman Jakupi për çmimin “Nderi i Qytetit”, çmim ky që iu nda nënkolonelit turk Ozgur Ecevit Tasçi.

Në vendimin e MAPL-së thuhet se pas pranimit të vendimit për ndarjen e çmimit “Nderi i Qytetit”, i ndarë për nënkolonelin turk i cili kreu veprimtari në Shtime, MAPL ka ardhur në përfundim se ky çmim nuk është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Kryetari i degës së Nismës insistonte në gabimin që është bërë me emrin e çmimit. Sipas tij, tjetër është çmimi “Qytetar Nderi” e tjetër “Nderi i Qytetit”. Për këtë të fundit thoshte se u jepet vetëm qytetarëve të asaj komune të cilët shquhen për ndonjë të arritur. Kurse, sipas Hysenajt, çmimi “Qytetar Nderi” i jepet dikujt nga jashtë që ka mundur të japë ndonjë kontribut për një qytet të caktuar.

http://kallxo.com/nisma-e-pdk-kapen-per-fjale-ne-shtime-per-nje-nenkolonel-turk/