Viktor Yanukovych, ish-presidenti i Ukrainës (në qendër). Foto: Wikipedia.

Mali i Zi i vendos sanksione djalit të ish-presidentit ukrainas

Mali i Zi ka përditësuar listën e tij të sanksioneve kundër atyre që dyshohet se janë përfshirë në krime financiare në Ukrainë duke përfshirë në të edhe djalin e ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych.

Qeveria e Malit të Zi ka vendosur një listë të re sanksionesh ndaj politikanëve dhe biznesmenëve ukrainas dhe rusë që dyshohet se janë të përfshirë në transferimin e paligjshëm të fondeve nga Ukraina, duke e radhitur edhe një herë veten me masat e ngjashme ndëshkuese të BE-së.

Lista e zgjeruar e cila ka nën shënjestër ata që dyshohet se janë përfshirë në përvetësim të fondeve shtetërore, përmban dhjetë persona të rinj dhe tre kompani që besohet të jenë të afërta me ish-presidentin ukrainas dhe Kremlinin.

Sipas dy vendimeve të Ministrisë së Jashtme, të miratuara më 22 shkurt dhe 12 prill, të cilat BIRN i ka parë, në listë përfshihen, ndër të tjera, djali i ish-presidentit të Ukrainës Viktor Yanukovych, Oleksandr, oligarku rus Arkady Rotenberg, zv/ministru rus i energjisë Andrey Tscheresow, biznesmeni Serhiy Kurchenko dhe Mykola Yanovych Azarov, një ish-kryeministër ukrainas.

Ata tani e kanë të ndaluar të hyjnë në Mal të Zi dhe pronat e tyre ose llogaritë personale, nëse gjenden në vend, do të konfiskohen.

Oleksandr Yanukovych doli në qendër të vëmendjes në Mal të Zi në janar 2017 pasi mediat serbe njoftuan se ai donte të investonte “miliona euro” në turizëm në Mal të Zi. Planet e tij të dyshuara përfshinin ndërtimin e hoteleve dhe lagjeve luksoze në Budva. Raportet nuk u konfirmuan apo mohuan kurrë nga autoritetet malazeze.

Dokumenti i qeverisë, i datës 12 prill, vuri në dukje se Oleksandr Yanukovych ishte nën hetim penal në Ukrainë për “keqpërdorim të fondeve publike”.

BIRN kontaktoi departamentin e Malit të Zi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, për ta pyetur nëse po hetonte Yanukovych-in apo nëse ndonjë person tjetër në listën e sanksioneve kishte asete tani në Mal të Zi. Ajo nuk u përgjigj deri në kohën e publikimit të lajmit.

Zyra kundër pastrimit të parave gjithashtu nuk u përgjigj nëse kishte kontrolluar pasuritë e mundshme të bashkëpunëtorëve të tjerë të Yanukovych-it në Mal të Zi.

Dokumentet që BIRN ka parë thonë se tri kompani ruse me bazë në Moskë që vepronin në Krime, OAO VO Technopromexport, Limited Liability Company Foreign Economic Association Technopromexpor dhe ZAO Interavtomatika, nuk do të lejohen të bëjnë biznes në Mal të Zi.

Në mars të vitit 2014, BE ngriu pasuritë e zyrtarëve të shumtë të ish-ukrainas të dyshuar për shpërdorim të pronës shtetërore, duke filluar me ish-presidentin Viktor Yanukovych.

Sanksionet e BE-së synonin të frenonin dhunën në Ukrainën lindore dhe të penalizonin personat e përfshirë në aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Edhe pse nuk është ende një vend anëtar i BE-së, Mali i Zi filloi negociatat për anëtarësim në vitin 2012 dhe i bashkohet politikës së jashtme të Brukselit.

Ai fillimisht vendosi sanksione kundër 18 personave përfshirë Yanukovichin në vitin 2014. Vendimi është ndryshuar disa herë që atëherë, për t’u përshtatur me sanksionet e përditësuara të BE-së.

Lista më e hershme e Malit të Zi e datës 22 shkurt përfshinte ish-ministren e drejtësisë të Ukrainës Olena Lukash dhe biznesmenin dhe ish-deputetin Serhii Kliuiev. Pasi BE-ja hoqi sanksionet kundër tyre më 20 shkurt, dokumenti i ri i datës 12 prill i përjashtoi të dy këta nga lista.