Veturat e parkuara te shkolla "Mihal Grameno" | Foto: KALLXO,com

Makinat Zënë Trotuarin-Nxënësit Lëvizin në Rrugë

Makinat e parkuara afër Shkollës “Mihal Grameno” të Fushë-Kosovës, i detyrojnë nxënësit e këtij institucioni arsimor të lëvizin shumë pranë rrugës automobilistike.

Këta nxënës janë të rrezikuar çdo ditë nga bllokimi që makinat i bëjnë trotuarit pranë shkollës.

Ismet Gashi, drejtori i Shkollës “Mihal Grameno” tregoi për KALLXO.com se ka kërkuar nga komuna t’i largojë makinat, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

“Kemi bërë kërkesa në komunë për largimin e këtyre veturave, po nuk është realizuar. Këtë javë do të kërkojmë prapë nga komuna largimin e tyre dhe shpresojmë se do të na ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi”, tha drejtori Gashi.

Por zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës Ali Topalli tha se në lidhje me këtë problem komuna ka ndërmarrë masa.

“Komuna ka ndërmarrë të gjitha masat në raport me kompetencat që ka. Ka vendosur shenjat në atë pjesë, ka njoftuar policinë që është kompetente dhe aktualisht nuk ka ndonjë mundësi tjetër të veprimit”, tha zëdhënësi Topalli.

Ismet Gashi, drejtori i shkollës, tha se në kohën kur është rregulluar rruga në atë pjesë, ka kërkuar që të ndërtohet një nënkalim për nxënësit, por as kjo kërkesë e tij nuk është marrë parasysh.

Zyrtarja për informim e Policisë Rajonale të Prishtinës Florie Ahmeti tha për KALLXO.com se policia vazhdimisht vepron për largimin e veturave të parkuara afër shkollës.

Ahmeti tregoi se në këtë pjesë të Fushë-Kosovës nga shtatori i vitit të kakluar e deri tash janë konfiskuar 72 vetura të parkuara dhe janë shqiptuar 199 dënime për parkim aty.

“Policia gjatë periudhës shtator- dhjetor 2016 ka shqiptuar 139 gjoba trafiku ( tiketa) dhë janë bërë 52 konfiskime të veturave për parkim ilegal. Ndërsa nga muaji janar 2017 janë shqiptuar 60 tiketa dhë janë konfiskuar 20 vetura për parkim ilegal”, tha Ahmeti.

Gjashtë ditë më parë te udhëkryqi pranë kësaj shkolle në Fushë-Kosovë ndodhi një aksident komunikacioni ku u lënduan dy persona.

Fatmirësisht aksidenti ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së 11 shkurtit, në kohën kur nxënësit nuk lëvizin drejt shkollës “Mihal Grameno”.

http://kallxo.com/aksident-rende-ne-fushe-kosove-2/

Edhe banorët e Sllatinës së Vogël të Fushë-Kosovës u ankuan më 12 shkurt në KALLXO.com se për mungesë trotuarësh rrezikohen përditë dhe i dërgojnë në shkollë fëmijët e tyre më makina.

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës tha atë ditë se sivjet parashihet rregullimi i trotuarit në Sllatinë të Vogël.

http://kallxo.com/banoret-e-sllatines-kerkojne-trotuare/

 

Parkimi I veturave para shkollës fillore.docx

Redaktoi: Bekim Muhaxheri