Fotografia: Facebook

Majlinda Sërish e Artë

Trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka, tha për KALLXO.com se fitorja e kampiones botërore në Paris është shoqëruar me lot e emocione.

Sipas tij, para garës, stresi ka qenë i madh si për të ashtu edhe për Majlindën.

“Majlinda ka kaluar një vit të vështirë sa i përket shëndetit. Ka qenë e lënduar në gju dhe ka pasur një operim” tha Kuka.

Se kampionia Kelmendi ka kaluar nëpër një vit të vështirë pati raportuar edhe KALLXO.com.

Në tetor të vitit të kaluar ajo kishte rrëfyer se si i tejkalon vështirësitë e stërvitjeve në të ftohtë.

http://kallxo.com/majlinda-kelmendi-kampionia-qe-mund-ta-braktise-vendlindjen/

Por, me forcën e kampiones, Majlinda shkoi për të shkëlqyer edhe një herë në Paris. Të shtunën ajo u stolis me medaljen e artë në turneun Grand Slam në kategorinë deri në 52 kg. Ajo fitoi me iponë në finale, ku kundërshtare kishte xhudisten rumune Andreea Chitu.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve, intonimi i himnit të Kosovës e ka emocionuar fort kampionen, e cila nuk i ka përmbajtur lotët.

Kjo është medalja e dymbëdhjetë e Majlindës në një turne botëror të IJF-së dhe e katërta në një Grand Slam.

Në garën e zhvilluar në kryeqytetin francez kanë marrë pjesë 84 shtete.

Trajneri Kuka flet për momentet e para pasi Majlinda u shpall kampione.

“Pas finales pothuajse s’kemi folë. Shumë pak kemi folë. Kemi pasë emocione më shumë se zakonisht” tha Kuka.

Sipas tij, kënaqësia më e madhe është fakti që një shtet i vogël si Kosova po merr medalje të tilla dhe po bën histori në sportin e xhudos.

Trajneri foli edhe për pjesëmarrësit e tjerë në garën e zhvilluar në Paris. Sipas tij, edhe kampionia tjetër, Nora Gjakova, e cila solli medalje olimpike nga Lojërat Evropiane në Baku, ka pasur paraqitje të mirë.

“Nora fitoi kundër koreanes në luftën e parë. Në luftën e dytë ishte shumë e pafat dhe në vazhdim pas luftës së barabartë humbi. Megjithatë, ajo sivjet po jep performancë të shkëlqyeshme” tha ai.

Ndërsa, për Akil Gjakovën tha se ai shijoi fitore në gara të nivelit Grand Slam.

“Ai mposhti në xhiron e parë spanjollin Uriarte, i cili ka qenë nënkampion botëror. Pastaj, mposhti edhe një medalist nga Lojërat Evropiane, anglezin Oates, për të kaluar në xhiron e tretë në të cilën do të mposhtet nga belgu Gansbeeke” theksoi Driton Kuka dhe shtoi se e rëndësishme është se Akili megjithatë fitoi 60 pikë olimpike, po aq sa edhe Nora.