Një tank i ushtrisë turke - Foto: Rtv21

Macron i Kërkon Erdoganit Armëpushime edhe në Afrin

Presidenti francez i deklaroi sot homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, se armëpushimi në Siri duhet vendosur, duke përfshirë edhe rajonin kurd Afrin, ku Turqia ka ndërmarrë një ofensivë kundër kurdëve.

“Në një bisedë telefonike me presidentin turk, Macron nënvizoi që armëpushimi humanitar të aplikohej në të gjithë territorin sirian, duke përfshirë këtu edhe Afrin dhe duhet të zbatohet kudo dhe nga të gjithë”, theksoi presidenca franceze në një komunikatë.

Emmanuel Macron shprehu përveç të tjerave shqetësimin e madh përballë vazhdimit të sulmeve kundër civilëve dhe spitaleve në Gutan Lindore nga regjimi sirian.

Gjatë bisedës së tij me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, Macron nënvizoi nevojën absolute që ndërprerja e armiqësive të respektohet menjëherë dhe në mënyrë të plotë, konform rezolutave.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi njëzëri të shtunën një rezolutë që kërkonte një armëpushim humanitar për një muaj në të gjithë Sirinë, ndërkohë që më shumë se 500 civilë, 100 prej të cilëve fëmijë, janë vrarë në shtatë ditë nga sulmet e regjimit sirian në bastionin rebel të Gutas Lindore, jo shumë larg Damaskut.

Por, dje Turqia nënvizoi se armëpushimi nuk përfshinte operacionet e saj kundër grupeve që ajo i cilëson terroriste.

“Turqia mbetet e vendosur për të luftuar organizatat terroriste që kërcënojnë integritetin territorial dhe politik të Sirisë”, kishte deklaruar ministri turk i Punëve të Jashtme në një komunikatë. /21Media