Lansimi i raportit të monitorimit të reformave në administratën publike - Foto: KALLXO.com

Lypset më Shumë Punë në Reformat e Administratë Publike

Reformat në administratën publike si kriter bazë i Komisioni Europian për rrugëtim drejt BE-së kanë shënuar përparime por lypset edhe më shumë të punohet në përmirësim të cilësisë dhe llogaridhënies.

Kështu është thënë në lansimin e raportit të monitorimit të administratës publike të Kosovës, i financuar nga BE dhe i zbatuar nga SIGMA, një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Europian dhe Organizatës për Zhvillimin Ekonomik dhe të Bashkëpunimit.

Shefi i Njësisë për Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të BE-së në Komisionin Europian, David Cullen, tha se Komisioni kohëve të fundit ka publikuar një strategji për Ballkanin Perëndimor, ku reformat në administratën publike shihen si një prej problemeve kryesore për progresin drejt integrimeve europiane krahas sundimit të rendit dhe ligjit, të drejtave fundamentale, fuqizimit të institucioneve demokratike, zhvillimit ekonomik dhe konkurrueshmërisë.

Sipas Cullen, reforma në administratën publike është e rëndësishme për Kosovën.

“Reforma e administratës publike mbetet reforma strategjike më e rëndësishme për Kosovën për gjatë gjithë këtij procesi në mënyrë që të shtrihet qeverisja në të gjitha nivelet. Kjo nënkupton përmirësimin e cilësisë dhe llogaridhënies së administratës, rritjen e profesionalizmit të shërbimit civil, transparencës në rekrutim dhe shkarkime, më shumë transparencë në menaxhim të financave publike dhe shërbime më të mira për qytetarët”, tha Cullen.

Ministri i Administratës Publike i Kosovës, Mahi Yagcilar, tha se lypset të punohet më shumë.

“Kosova ka bërë përparime në fushën e administratës publike, ka mundësi të bëhet edhe më shumë”, theksoi ministri.

Ai përmend edhe indikatorët ku Kosova ka vlerësim zero. Sipas tij, ato fusha janë realizuar por problemi është krijimi i disiplinës, përgjegjësisë institucionale, për të krijuar një raportim.

Ministri Yagcilar përmendi projektet që do të realizohen te komunat e vogla.

“Planifikimi është që të fillojmë me tri pilot-projekte gjatë vitit. Në disa komuna më të vogla të ofrojmë këto shërbime në ndonjë pikë të vetme ose stop-shope”, tha ai.

Ministri gjatë fjalës së tij përmendi aprovimin e tri ligjeve gjatë muajit qershor, që puna e ligjeve të rrumbullakoset në vjeshtë.

Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha , tha se kemi bërë punë të mirë për konsolidimin e politikave strategjike për reformimin e administratës publike si kriter bazë i Komisionit Europian.

“Si kriter bazë që Komisioni Europian ka përcaktuar për reformimin e administratës publike është konsolidimi i kornizës së politikave strategjike dhe këtu më duhet të them që kemi bërë një punë shumë të mirë, të shkëlqyer në fakt, duke hartuar strategji në bashkëpunim të ngushtë me SIGMA-n“, tha ministrja Hoxha.

Sipas Hoxhës, këtu përfshihen tri strategji: strategjia për modernizimin e administratës publike, strategjia për menaxhimin e financave publike dhe strategjia për rregullim më të mirë si dhe strategjia për koordinim të politikave.

Ajo tutje tha se Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Integrimit Europian janë të përkushtuara që kjo pako e ligjeve të procedohet sa më shpejt në Kuvendin e Republikës së Kosovë.

Ndërsa, zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi tha se kjo Ministri është e përkushtuar në zbatimin e reformave në kuadër të administratës publike.

“Ministria e Financave në vazhdimësi është përkushtuar në ndërtimin e sistemit modern të menaxhimit të financave publike të bazuara në standarde dhe praktika më të mira ndërkombëtare. Në kuadër të reformës të administratës publike përveç tjerash Ministria e Financave është angazhuar në zbatimin e reformave në shtyllën e tretë e cila është menaxhimi i financave publike”, tha Gashi.

Në konferencë nga prezantimi i raportit u tha se nëse analizohen të gjithë hapat nëpër të cilët do të kalojë reforma e administratës publike del që Kosova është diku në mes të saj.

Kosova ka ecur krahasuar me vlerësimin e fundit, ka ecur përpara dhe tani ka arritur tek hapi i 140, pra është diku në mes të rrugës dhe nëse analizohen me kujdes fushat se ku është më i madh e ku jo, shohim rezultatet të mira, 4.5 te korniza strategjike dhe 4.5 në institucionet e auditimit suprem.