LVV Thotë se ka një Deputet më Shumë, LDK Pret Rezultatet

Kreu i Komunës së Prishtinës si dhe kandidat e nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka shkruar në Facebook se pas numërimit të votave me kusht, del që Vetëvendosje ka marrë 32 deputetë.

“Pas numërimit të votave me kusht, Vetëvendosje arriti në 32 deputetë. Faleminderit!”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, Ahmeti.

Zëdhënësja e Vetëvendosjes, Tinka Kurti tha se nuk mund ta konfirmojë këtë pa u bërë certifikimi i rezultateve nga ana e KQZ-së, megjithatë kërkoj që t’i referohemi statusit të Shpend Ahmetit.

E nëse kjo që thotë Lëvizja Vetëvendosje është e vërtete, i bie që koalicioni LDK-AKR-Alternativa nga 30 deputetë sa ishte pritur t’i ketë, do të kalojë në 29 deputetë.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha për KALLXO.com se janë në pritje të rezultateve të KQZ-së.

“Nuk kemi konfirmim prej KQZ-së ende. Po i presim rezultatet e KQZ-së. Ne vetëm mundemi me spekulu tash për tash. Mund të ketë shkrime të tilla, por ne i presim mandatet vetëm prej KQZ-së”, tha Lutfi Haziri për KALLXO.com.

Të shtunën e kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media kishte deklaruar se numërimi i votave të diasporës nuk e ndryshon rezultatin e zgjedhjeve.

http://kallxo.com/ldk-votat-e-diaspores-nuk-ndryshojne-rezultatin/

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të dalë me rezultatet përfundimtare.

http://kallxo.com/kqz-kete-jave-publikohen-rezultatet-perfundimtare/