Deputetët e Vetëvendosjes vendosin tabelën e shtetit të Kosovës në kufirin me Malin e Zi - Foto: Facebook

LVV: Qeveria të Mos Provokojë me Demarkacionin

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos e provokojë situatën duke e sjellë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Përmes një postimi në “Facebook”, Marrëveshjen për Demarkacionin LVV e cilëson “marrëveshje tradhtie”.

Sipas njoftimit, sot deputetët e kësaj Lëvizje kanë vendosur tabelën e shtetit të Kosovës në pikën ku duhet të jetë kufiri me Malin e Zi.

“Historia jonë kombëtare njeh disa raste kur politikanë të caktuar, për interesa personale, u kanë shitur shteteve fqinje pjesë të territorit tonë. Përkundër përpjekjes së Hashim Thaçit dhe Qeverisë së Isa Mustafës për t’ia shitur Malit të Zi edhe mbi 8,000 hektarë të Kosovës, ne nuk do të lejojmë që kjo histori të na përsëritet”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ata kanë rikujtuar edhe njëherë që pika kufitare me Malin e Zi për qytetarët e Republikës së Kosovës është në Kullën e Zhlepit dhe te Maja e Çakorrit.

“Nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që për interesa personale të një grupi kriminal në pushtet, të zvogëlohet territori i Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.